Avokatët kërkojnë që të jenë pjesë e reformës në drejtësi dhe që ndikimi i tyre në ndryshimet ligjore të jetë më i ndjeshëm.

Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Visha theksoi se politika duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhen ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Proçedures Penale pa marrë qëndrimin e njerëzve që mbrojnë të pandehurit.

“Ne do bëhemi pjesë e çdo reforme në drejtësi. Ne e përkrahim atë sepse e ndjejmë se duhet një ndryshim rrënjësor jo vetëm sipas rekomandimit të BE, por sepse ne jemi ata që prekin problemet që ka drejtësia”, deklaroi Visha.

Zoti Visha ngriti sërish shqetësimin e mos pagimit të avokatëve kryesisht nga gjykatat dhe prokuroria. “Një problem tjetër është kur avokatët punojnë në kushte mizerabël dhe kanë 3 vjet që nuk paguhen. Imagjinoni ç’bëhet. Kjo, edhe kur shifrat që paguan ministria janë minimale”, nënvizoi Visha.

Në takimin për 5-vjetorin e Shoqatës së Avokatëve Penalistë ishin të pranishëm prokurorë, ish-prokurorë, gjyqtarë, përfaqësues të dhomave të avokatisë së Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë, të cilët e vendosën theksin në fjalën e tyre në sigurimin e të drejtave të çdo shtetasi që i nënshtrohet gjykimit nga drejtësia.

Top Channel