Rama: Fund diplomacisë në dëm të vendit

05/07/2014 00:00

Diplomaci më aktive në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve iu kërkoi kryeministri Edi Rama diplomatëve tanë që kanë mbërritur në Tiranë në konferencën treditore, organizuar nga Ministria e Jashtme.

Kreu i qeverisë e ka nisur komukimin me ambasadorët me rrëfimin personal kur ishte kryetar i opozitës, mbi incidentin mes tij dhe një diplomati shqiptar, për të dhënë mesazhin se puna e dikurshme e ambasadorëve që u reduktua nga qeveria paraardhëse vetëm në operacionet për të dëmtuar opozitën në kancelaritë e huaja ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Ai e tha këtë duke iu rikujtuar ambasadorëve se tashmë kryetari i opozitës në protokollin shtetëror trajtohet njësoj si kryeministri.

“Ju me siguri e keni dëgjuar fjalën e famshme që thotë: ambasadori është një njeri i ndershëm që gënjen në interes të vendit të vetë. Unë jam krenar që e mira e atdheut tonë ka pushuar së qëni për ju një detyrim i ardhur nga qendra për të gënjyer në kancelaritë e Evropës për të dëmtuar imazhin e opozitës”, deklaroi Rama.

Me nënvizimin se statusi i vendit kandidat që u arrit të merrej në qershor ishte vlerësim për fillimin e ndryshimit të imazhit për Shqipërinë, kreu i qeverisë dha mesazhin e ndërtimit të një diplomacie transformuese, kur këtë e përcolli përmes shprehjes së njohur të Condoleezza Rice.

“Konteksti ynë i diplomacisë transformative është kuptimplotë nëse e shohim atë si mundësi për të transformuar raportet në rajon, imazhin në botë dhe lidhjet mes shqiptarëve kudo që jetojnë, duke forcuar gravitetin e Shqipërisë në lidhje me ta dhe lidhjet e tjera që janë në nivel krejt formal”, tha Rama.

Ambasadoret duhet të marrin një rol të ri dhe të rëndësishëm, tha kreu i qeverisë, kur iu kërkoi atyre shfrytëzimin e çdo hapësire dhe potenciali në interesin jo vetëm politik.

“Përfaqësitë tona duhet të jenë të mirëinformuara për politikat shtetërore dhe të mirëstërvitura për ta kthyer diplomacinë në një agjent agresiv ekonomik e kulturor. Gjithashtu, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovën të bëjnë një bashkësi shqiptare, që të kontribuojnë në procesin transformues të shqiptarëve nëpër botë”, theksoi kryeministri.

Këto detyra, që nga ministri i Jashtëm u cilësuan njëkohësisht si rritje e besimit dhe e një steke më të lartë për diplomatët tanë, patën bindjen e kryeministrit në përmbushjen e tyre.

“Me respekt për çdonjërin nga ju që i jep vendit tonë më të mirën dhe i bindur se së bashku do bëjmë më të mirën për vendin tonë, unë ju falenderoj”, shtoi Rama.

Top Channel