Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, në kryeqytetin e Kosovës është rregulluar sërish sistemi i alarmit publik që shërben për t’i njoftuar qytetarët në rast të ndonjë fatkeqësie.

Komuna e Prishtinës ka bërë testimin e alarmit në orën 13 e 10 në Prishtinë, mirëpo në qendër të qytetit nuk mbërriti zëri i alarmit testues. Ky testim i ka shërbyer komunës për të planifikuar shtimin e numrit të alarmeve.

Ibush Kelmendi, shef i sektorit për mbrojtje dhe shpëtim në Prishtinë ka thënë se ky testim shënon vetëm fillimin e përfundimit të projektit për kujdesin ndaj qytetarëve në rast të fatkeqësive.

“Sistemi i alarmit publik tash në Komunën e Prishtinës është i vendosur në gjashtë pika, të cilat nuk e mbulojnë në tërësi qytetin. Jemi në vazhdën e përpjekjeve që brena një periudhe shumë të shkurtër të vendosim edhe pesë pika në qytet dhe do ta mbulojmë në tërësi qytetin e Prishtinës”, deklaroi Kelmendi.

Pas testimeve të alarmit publik, komuna ka vendosur që t’i informoj të gjithë qytetarët përmes njoftimeve nëpër hapësira publike se si duhet të reagojnë në rast se dëgjojnë alarm për ndonjë fatkeqësi natyrore.

“Në rast të rrezikut Prishtina i ka gjashtë strehimore publike prej të cilave tri janë të renovuara dhe mund të vendosen sot qytetarët në rast nevoje. Kurse edhe tri të tjera janë në proces e sipër duke u renovuar, në mënyrë që të vendosen qytetarët në rast rreziku”, tha Kelmendi.

Sistemi i alarmit publik në Kosovë për herë të fundit ishte lëshuar më 1999 nga forcat pushtuese serbe kur alarmonin qytetarët serbë për tu fshehur kur avionët e NATO-s hidhnin bomba mbi caqet serbe.

Top Channel