KLSH-ja kallëzon drejtorin e Albpetrol-it

05/07/2014 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori drejtorin e përgjithshëm të Albpetrol-it, Endri Pukën, për refuzim kontrolli duke mos vënë në dispozicion dokumentacionet e nevojshme.

Cështja lidhet me kontrollin e marrëveshjeve hidrokarbure që kompania publike Albpetrol ka nënshkruar me firmat private. KLSH-ja pretendon se në mënyrë të përsëritur administratori i Albpetrol-it ka refuzuar të vërë në dispozicion të audituesve dokumentat e këtyre marrëveshjeve.

Në kundërshtim flagrant me detyrimet e tij ligjore, thuhet në njoftim, administratori i Albpetrol-it refuzoi në mënyrë të vazhdueshme për mëse 1 muaj vënien në dispozicion të marrëveshjeve hidrokarbure me privatët, me justifikimin e ruajtjes së konfidencialitetit të këtyre marrëveshjeve.

Sipas KLSH-së, veprimet e mësipërme të kreut të Albpetrol-it, përveçse në kundërshtim me ligjin, kanë shkaktuar pengimin serioz të kryerjes së auditimit, në përpjekje për të shmangur kontrollin mbi çështje të caktuara të veprimtarisë së tij si administrator i kësaj shoqërie.  

Kontrolli i Shtetit pretendon se justifikimi i ngritur nga Albpetrol-i për konfidencialitetin nuk qëndron, pasi ky kontroll nuk vë në rrezik subjektet private.  

“KLSH-ja në asnjë rast nuk ka kërkuar informacion mbi veprimtarinë e subjekteve private dhe marrëveshjet, projektet, plan-bizneset apo resurset e tyre, pasi ato nuk janë objekt i auditimit të KLSH-së, por veprimtaria e Albpetrol-it”, vijon njoftimi.

Kontrolli i Shtetit thotë se këto veprime kanë sjellë si pasojë dështimin e auditimit duke mbajtur në errësirë të plotë kontratat e lidhura ndërmjet Albpetrol-it dhe kompanive private dhe për këtë arsye i është drejtuar Prokurorisë përmes kallëzimit për kreun e këtij institucioni.

Sipas KLSH-së ky është një rast unikal, ku vetë shtetit i cili zotëron 100% të aksioneve të një shoqërie i mohohet e drejta e aksesit dhe kontrollit mbi dokumentacionin dhe veprimtarinë e kësaj shoqërie dhe çka është më absurdja nga vetë administratorët e saj.

Top Channel