PD: Fushatë spastrimi në administratë

04/07/2014 00:00

Me anë të deputetit Oerd Bylykbashi, Partia Demokratike denoncoi edhe një herë tjetër atë që sipas saj është një fushatë spastrimi i administratës nga ana e mazhorancës qeverisëse.

“Sot, Ministrja e Mbrojtjes ka paralajmëruar spastrimin e ri në administratë, i planifikuar nga dyshja Rama-Meta, pas marrjes së statusit të vendit kandfidat.
70 nëpunës civilë janë thirrur sot në Ministrinë e Mrojtjes ku u është kërkuar të japin dorëheqjen, ose të kalojnë në listë pritje”, deklaroi Bylykbashi.

Sipas tij, fushata e re e spastrimit në administratë ishte denoncuar nga Partia Demokratike e cila ka shprehur publikisht dyshimet e saj dhe këtë ua ka bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve.

“Ne i kërkojmë sot qeverisë dhe dyshes Rama-Meta të heqin dorë menjëherë nga ky plan i turpshëm i spastrimit të ri në administratë.
Skenari i krijimit të vendeve për militantët e partisë dhe i largimit të profesionistëve të fundit që kanë mbetur është i frikshëm për një vend që ka marrë statusin e kandidatit dhe ky skenar do të përballet me protestën më të fortë qytetare”, theksoi Bylykbashi.

Partia Demokratike i kërkon Bashkimit Europian të dërgojë menjëherë një mision monitorimi për të parë nga afër “krimin e qeverisë me administratën”, me asetin më të çmuar publik në rrugën e integrimit europian.

MM: Lëvizjet, sipas strukturës së re të FA

Ministria e Mbrojtjes, me anë të një deklarate për shtyp, ka hedhur poshtë deklaratat e opozitës, sipas të cilave nepunës civilë po largohen nga administrata.

Në këtë deklaratë thuhet se, pas miratimit të strukturës së re të Forcave të Armatosura nga presidenti i Republikës, ministri i Mbrojtjes ka nisur proçedurat ligjore në bazë dhe në zbatim të dekretit të presidentit të vendit.

“Saktësojmë se të gjitha veprimet do të kryhen konform urdhërit të dalë nga ministri i Mbrojtjes, bazuar në dekretin e kryetarit të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Top Channel