Presidenti Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Forcat e Armatosura, me argumentin se nuk është hartuar në konsultim me të, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë.

“Çdo iniciativë ligjore që ka të bëjë me komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut, etj, duhet detyrimisht të konsultohet paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të marrë dakordësinë e tij”, thuhet në arsyetimin e Nishanit.

Në të kundërt, paralajmëron kreu i shtetit, këto veprime do të rrezikonin zinxhirin e komandim/kontrollit, kaq vendimtar për drejtimin në fushën e mbrojtjes së vendit.

“Pra, ushtrimi i kompetencave që Kushtetuta i jep në kohë paqeje Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes nuk duhet të anashkalojnë funksionin e komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura nga  Komandanti i Përgjithshëm, që është dhe Presidenti i Republikës”, argumenton Nishani.

Top Channel