Legalizimet, rihapet vetëdeklarimi

04/07/2014 00:00

ALUIZNI ka rihapur procesin e vetëdeklarimit për objektet e ndërtuara pa leje para vitit 2009. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, tha se qytetarët që nuk kanë aplikuar për legalizmin e objekteve informale, mund të tërheqin pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t formularin mbi bazën e të cilit do të priten kërkesat legalizime.

“Ai që është i interesuar ose ka hyrë në procedurë në vitin 2006 dhe ndërkohë në këto tetë vjet shtëpinë njëkatëshe e ka bërë 3-katëshe, thjesht duhet të aplikojë për shtesën dhe ekipi do të shkojë në terren”, tha Lame.

Për rastet kur nuk e gjykojnë emergjent vetëdeklarimin, drejtori i ALUIZNI-t thotë se tek qytetarët do të shkojnë vetë ekipet e ALUIZNI-t. Ndërsa për 45 mijë dosjet e hapura nga vitet e kaluara për të cilat qytetarët kanë paguar faturat, por nuk është kryer asnjë veprim, Lame tha se nuk mund të jepet leja e legalizmit.

“Do të bëhen matjet, qytetarët që kanë paguar nuk do të paguajnë asgjë shtesë”, theksoi Lame.

Drejtori i ALUIZNI-t tha se procesi i pagesave është bllokuar pasi qytetarët presin miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për llogaritjen e çmimit të truallit.

Gjatë 4 muajve, ekipet e Aluiznit kanë azhornuar në terren 20.400 objekte dhe kanë përgatitur dokumentacionin e plotë për 17.100 prej tyre.

Top Channel