Gjendje të jashtëzakonshme kanë shpallur administratorët e Rrjeteve të Konjeksionit dhe Shpërndarjes së energjisë elektrike, pas grevës 48 orëshe që kanë filluar prej mëngjesit të së enjtes, sindikalistët e Koorporatës Publike Energjitike të Greqisë, duke kundërshtuar projektligjin e qeverisë për privatizimin e një të tretës së kësaj kompanie.

Ata kanë ndërprerë punën në 13 impiante të prodhimit të energjisë, me kapacitet 3400 megavat,ndërkohë që mbeten në funksionim 7 termocentrale, me kapacitet 2200 megavat, si dhe hidrocentralet e vendit, dhe në çdo moment ekziston rreziku i një “black-out”-i në të gjithë vendin.

“Nuk mund t’i shesin të gjitha pa pyetur askënd. Kush ua dha të drejtën? Morën 30% të votave, ndërsa ne jemi 70%. A është e logjikshme? Sigurisht që jo”, tha Melina Kotsaki, protestuese.

Qeveria e koalicionit të kryeministrit Samaras ka deklaruar se vendi nuk do të jetë prè e sindikalistëve që pengojnë reformat e kërkuara nga kreditorët për privatizime të shumë kompanive shtetërore dhe i ka paralajmëruar të gjithë grevistët se do të shpallë mobilizim ushtarak të tyre, pasi nuk do të lejojë ndërprerjen e energjisë, sidomos në një periudhe kohore, kur vendi pret miliona turistë. Nga ana tjetër, lideri i Radikalëve të Majtë, Aleksis Tsipras, ka mbështetur sindikalistët e Koorporatës së Energjitikës në grevën e tyre dhe i ka bërë thirrje qeverisë, që të zhvillojë një referendum popullor për të vendosur vetë qytetetarët, nëse duhet apo jo të privatizohet kjo kompani shtetërore.

“Mesazhi për qeverinë është se nuk duhet të vazhdojë me shitjen e Koorporatës Publike të Energjisë. Ajo është pronë publike, i takon popullit grek, nuk i përket dhe as nuk është pronë e qeverisë dhe nuk ka të drejtë ta shesë, sepse tashmë ka pakicën e votave të popullit”, tha Dimitris Stratulis, deputet i Syriza-s.

Projektligji që parashikon shitjen për gati 1.5 mld euro tek investitorët e huaj të një të tretës së kësaj koorporate pritet të votohet të mërkurën e ardhshme në Parlament.

Top Channel