Çelet konferenca e ambasadorëve

04/07/2014 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka çelur pasditen e së premtes konferencën treditore të ambasadorëve, një aktivitet që rikthehet pas disa viteve ndërprerje.

“10 muaj më parë, kur u emërova ministër, miqtë e mi më pyetën se si ndihesha, përgjigjia ime ishte ajo që është edhe sot: nuk ka si Ministria e Jashtme, aty mbrohet interesi kombëtar”, u shpreh Bushati në fjalimin e tij.

Ata që konsiderohen përfaqësuesit tanë në botë kanë mbërritur në Tiranë, vetëm pak ditë pasi vendi ka marrë notën pozitive të statusit të vendit kandidat, pas të cilit vjen sfida e radhës për Shqipërinë.

“Objektivi i ri për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin duhet të shërbejë si shtysë për një mobilizim të gjithanshëm të diplomacisë tonë sipas parametrave që kërkon kjo fazë cilësisht e re”, theksoi Bushati.

Duke shprehur vetëdijen për detyrat dhe sfidat e politikës së jashtme, veçanërisht të vështira për një vend të vogël si Shqipëria, për sfidën e re të vendit, atë të hapjes së negociatave, shefi i diplomacisë shqiptare iu ka lënë vetëm një detyrë ambasadorëve. “Përmirësimi i imazhit të vendit në botë”, tha Bushati.

Por paralelisht me integrimin, politika e jashtme shqiptare ka në vëmendje edhe rajonin dhe veçanërisht marrëdhëniet me Kosovën.

“Në themel të politikës së jashtme qëndron avancimi i të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në rajon. Në këtë drejtim Shqipëria do vijojë përpjekjet dhe aksionin rajonal e ndërkombëtar për të krijuar kushtet për anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale. Bashkëpunimi ynë me Kosovën është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe për të ardhmen tonë euroatlantike”, tha Bushati.

E po aq vëmendja duhet të jetë tek ajo që shefi i diplomacisë cilësoi një “aset të pashfrytëzuar” si diaspora, kur u tërhoqi vëmendjen ambasadorëve.

“Dëshiroj të jem i qartë në këtë drejtim. Për shërbimin tonë të jashtëm, adresimi i problemeve me të cilin përballen studentët shqiptarë, emigrantët apo sipërmarrjet janë detyrat tona”, nënvizoi Bushati.

Ndërsa në marrëdheniet ndërkombëtare politika e jashtme do të vijojë të jetë në krahë të SHBA dhe BE-së, ajo do të jetë edhe elastike në raport me zhvillimet e reja. “Diplomacia jonë nuk mund të ecë më me formula të çimentuara”, tha ministri.

Në të gjitha linjat e politikës së jashtme të prezantuara nga ministri Bushati, parimi udhëheqës duhet të jetë vetëm një. “Diplomacia shqiptare duhet të ketë një fizionomi kombëtare, që duhet kërkuar në veprimin e kurdohershëm e kurdondodhur të intersave kombëtare të Shqipërisë. Sot në rajon nuk mund të bëhet më asgjë as në kurriz, as pa dijeninë e Shqipërisë”, përfundoi Bushati.

Barroso letër Nishanit: Sa më shpejt reformat!

Presidenti i Komisionit Europian, Hoze
Manuel Barroso, në një letër dërguar Presidentit të Republikës, Bujar
Nishani, vetëm pak ditë pas vizitës së tij në Tiranë, teksa falenderon
kreun e shtetit për dekorimin me Urdhërin e Flamurit, bisedimet
konstruktive gjatë takimit të përbashkët, përqendrohet në nevojën e
reformave që duhet të ndërmarrë vendi.

“Ne kemi hapur tashmë një kapitull të ri në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Jam i bindur se të gjitha forcat politike në Shqipëri do të ndërtojnë mbi këtë sukses të përbashkët dhe do të intensifikojnë dhe përshpejtojnë përpjekjet e tyre për reforma, kryesisht në drejtim të prioriteteve kyçe të identifikuara për hapjen e negociatave, me fokus të veçantë tek shteti i së drejtës”, shkruan presidenti Barroso.

Për Barroson “është shumë e rëndësishme që reformat të ndërmerren në një mënyrë të qëndrueshme dhe përfshirëse”.

Më lejoni, vijon zoti Barroso në letrën e tij, për këtë arsye, t’ju inkurajoj si zyrtarin dhe liderin më të lartë të shtetit të vazhdoni të punoni për këtë konsensus të gjerë kombëtar!

Top Channel