Basha uron Ramën për ditëlindje

04/07/2014 00:00

Nga Kukësi, ku ka marrë pjesë në kuvendin e PD-së së kësaj zone, Lulzim Basha ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se po qeveris për interesat e tij personale dhe jo për qytetarët.

“Halli i madh që ka zënë vendin është se Edi Rama dhe Ilir Meta, siç e faktuan këtu në Kukës e në gjithë Shqipërinë, nuk kanë ndërmend të prodhojnë asgjë të mirë për vendin. Nuk e kanë vullnetin për qytetarët, por për veten e tyre. E kanë mall, prandaj e blejnë. Blejnë vota, vullnete e kryetarë bashkie. Ky është krim i rëndë, është krim politik”, ka deklaruar Basha.

Kreu i PD ka zgjedhur t’i bëjë kryeministrit, jo pa ironi, edhe një urim për ditëlindjen. “Le t’i urojmë gëzuar nga Kukësi. Dikush kishte vënë re se është më i moshuari mes presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe liderit të opozitës. Që ishte më i vjetri, kjo dihej. Por deri tani s’e kishte treguar kilometrazhin. Mesa duket e paska edhe kilometrazhin”, është shprehur Basha.

Top Channel