Pas përjashtimit 10 ditor nga seancat parlamentare, ish-kryeministri Berisha është rikthyer si zëri kryesor i opozitës në podiumin e Kuvendit, me fjalën më të gjatë të mbajtur në të.

Rezoluta e punës së prokurorisë për vitin 2013 në rend të ditës ka shërbyer për opozitën si rast për të akuzuar qeverinë për situatën e kriminalitetit në vend dhe këtë e ka argumentuar me ngjarjen tragjike të vrasjes së bankierit Artan Santo.

Ish-kryeministri ngriti disa pikëpyetje për ngjarjen, ndër të cilat edhe atë se përse postoblloqet e policisë në hyrje-daljet e Tiranës nuk arritën të kapnin ekzekutorët.

“Çfarë tregoi kjo, dy gjëra: ose e vrau qeveria, se për këtë nuk kam prova, ose shteti nuk funksionoi. Por ju e vratë për së dyti dhe e poshtëruat atë. Ju, për arsyet tuaja, për të cilat i bëj thirrje prokurorisë të hetojë, e shpallët atë menjëherë pistë kolumbiane. E shpallët menjëherë si pistën e Mamurrasit. Tani duhet të mashtroni edhe për të vdekurit”, tha Berisha.

“Nisur nga shqetësimet e ngritura në këtë sallë nga hienat e politikës shqiptare, nxisim policinë që të kapë autorët e vrasjes. Shteti duhet t’i kapë ata kriminelë që e sfiduan në mes të ditës, por edhe ne si politikë duhet të bëhemi së bashku dhe ta mbështesim policinë që t’i arrestojë ata dhe t’i dërgojë para drejtësisë”, replikoi deputeti Taulant Balla.

Demokratët, që në këtë seancë rikthyen në fokus të aksionit opozitar përkeqësimin sipas tyre të rendit dhe sigurisë në vend, nuk folën për aksionin e clirimit të Lazaritit, që përbente në shumicën e rasteve përgjigjen e përfaqësuesve të mazhorancës.

Por nga të dyja krahët, pakënaqësia për punën e organit të akuzës u shpreh kur të dyja palët i apeluan disa herë prokurorisë për hetime dhe dhënie drejtësise.

Top Channel