Vazhdon operacioni në Lazarat

03/07/2014 00:00

Policia e Shtetit po vazhdon aksionin e saj në Lazarat duke bërë të ditur se ka sekuestruar 1,233 ton hashash gjatë kontrollit në banesën e Vladimir Brahimit.

Mësohet se gjatë kontrollit në banesë u gjet edhe një sasi municioni.

Aksioni i forcave të Policisë së Shtetit në Lazarat ka vijuar edhe gjatë së mërkurës për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen dhe asgjesimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundraligjshme, kryerjen e veprimeve proceduriale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të personave që kanë kryer veprime të kundraligjshme.

Gjatë së mërkurës është njoftuar arrestimi i një personi, Pertef Brahimi, sepse gjatë kontrollit të ushtruar në datë 27.06.2014, në tavanin e banesës së tij, në fshatin Lazarat, i janë gjetur e sekuestruar 1 ton lëndë e dyshuar narkotike “cannabis sattiva”.

Policia ka bërë të ditur se ka kontrolluar 8 banesa në total dhe një sërë territoresh në fshatin Lazarat, ku janë gjetur e sekuestruar edhe një arsenal i madh armësh, përfshi këtu 7 kallashnikovë, një aparat minakërkues dhe 2410 fishekë, model 56.

Që nga nisja e operacionit, policia raporton se janë sekuestruar rreth 66 ton hashash, 5 kg heroinë, 54 kg vaj hashashi.

Top Channel