U nisën me skaf nga Korfuzi drejt Dubrovnikut, dy kroatë pësojnë dëmtime nga kushtet atmosferike dhe transportohen drejt spitalit të Vlorës
Forcat e Komandës së Mbrojtjes Rajonale të Kukësit kanë vijuar edhe sot pastrimin e vijës liqenore nga mbetjet e shumta.
Dhjetëra forca të Ushtrisë janë shpërndarë sot në anën jugore të liqenit nga Ura e Drinit të Zi deri tek Gostili i Vjetër.
Ndonëse kjo zonë është mbajtur nën kontroll pasi është pastruar periodikisht, me rritjen e nivelit të ujit të Liqenit të Fierzës, mbetjet e shumta vijojnë të popullojnë sipërfaqen e liqenit.
Duket se deklarimet e prefektit të Qarkut, Safet Gjici, bërë në kulmin e ndotjes së liqenit për blerjen e një anijeje vetëpastrimi për Liqenin e Fierzës, ishin të përshpejtuara pasi ende nuk ka asnjë shenjë nga Ministria e Mjedisit për këtë objekt, madhësia, funksioni dhe mënyra se si do të kryejë pastrimin nuk dihen.
Ndotja masive e Liqenit të Fierzës nisi në muajin prill të këtij viti e në fakt është një fenomen që përsëritet çdo herë që ka ngritje të nivelit të ujrave në Liqenin e Fierzës gjatë periudhës së vjeshtës dhe pranverës.
Por, këtë vit mbetjet ishin në sasi disa herë më të shumta se vitet e tjera, duke vënë në alarm për një situatë emergjente dhe katastrofe mjedisore. Mijëra metër kub janë pastruar që nga periudha e angazhimit të të gjitha strukturave, duke u ngritur dhe një task force për këtë qëllim.
Nga aksionet e këtij viti iu kushtua rëndësi edhe pastrimit të bregut të liqenit duke minimizuar edhe mundësitë për ndotje të mëtejshme.
Top Channel