Kronika e transmetuar në Top Channel duket se ka ndërgjegjësuar strukturat rajonale të Cez. Punonjës të kompanisë janë angazhuar paradite në heqjen dhe zhvendosjen e dy shtyllave të rrymës elektrike në rrugën e Drimadës, të cilat rrezikonin të ktheheshin në një burim aksidentesh.

Në krye të këtij aksioni ka qënë vetë drejtori i Drejtorisë Shpërndarëse në Fier, Arjan Feskaj, i cili ka ndjekur punën për heqjen e këtyre shtyllave. Feskaj u shpreh se firma që ka bërë ndërtimin e rrugës duhet të bëntë një projekt për heqjen e shtyllave gjë të cilën nuk e ka bërë. Feskaj shtoi se CEZ Shpërndarje nuk ka pasur asnjë kërkesë nga firma për zhvendosjen e këtyre shtyllave.

Kompania CEZ do të zhvendosë gjithsej gjashtë shtylla, ku dy prej tyre kanë qenë me problematike pasi ndodheshin në mes të rrugës dhe me fillimin e sezonit turistik dhe fluksin e lëvizjes në verë në këtë aks rrugor rrezikonin të shkaktonin aksidente, sidomos natën kur rruga ishte tërësisht në errësirë dhe pa ndriçim.

Shtyllat në mes të rrugës u shndërruan në objekt humori në rrjetet sociale nga pushuesit e parë që nisen sezonin këtë vit në plazhin e Drimadësit.

Top Channel