Gratë e PS bojkotojnë Berishën

03/07/2014 00:00

Në shenjë proteste për fjalorin e përdorur dy javë më parë nga ish-kryeministri Berisha në sallën e Parlamentit, deputetet socialiste lanë sallën në kohën kur ai doli në podium për të marrë fjalën seancën e kësaj të enjteje.

“Morët vendim pse unë citova fjalët që zotëria i adresonte ministres, të shoqes së ministrit dhe një të trete”, deklaroi Berisha.

“Mos u mundo kot që ato fjalë që mund t’i thuash vetëm ti t’ia vësh dikujt tjetër në gojë, sepse ai nuk i ka thënë kurrë dhe as i ka menduar. Fjalët e pista janë pjesë e moralit tënd, me të cilin ke ndotur këtë Kuvend për 20 vjet”, reagoi deputeti i PS, Taulant Balla.

Në këtë seancë Berisha tentoi të sqaronte edhe deklaratën e bërë vite më parë ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama. “Nuk thotë kush për Ina Ramën. Ajo ishte puciste e faktuar bashkë me atë tjetrin dhe ia shton ‘lavire politike’. Dhe s’ja heq kurrë dhe ishte minimumi që mund t’i thosha”, tha Berisha. Ndërsa deputetja

Ndërsa deputetja e PS, Evis Kushi tha se ky veprim do të vijojë gjithnjë kur në Parlament të flase Sali Berisha. “Ne kemi vendosur të mos qëndrojmë në sallë sa herë që Berisha të flasë. Ne nuk jemi dakord me gjuhën e përdorur prej tij. Ky qëndrim do vazhdojë përsa kohë ai do të vijojë me këtë lloj fjalori”, tha Kushi.

Edhe deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi dënon fjalorin e përdorur nga Berisha, por ndryshe nga koleget socialiste shprehet se gratë nuk duhet të bojoktojnë Parlamentin, por duhet të jenë aty për të treguar forcën e tyre.

“Ne në Parlament nuk vijmë as për Berishën, as për Ramën, as për Metën. Ne përfaqësojmë elektoratin dhe zonat tona dhe duhet të vijmë për të treguar se jemi prezente. Ne duhet të qëndrojmë aty dhe të luftojmë me tolerancën, hijeshinë dhe mencurinë tonë, për t’u bërë të qartë burrave se jemi më të forta”, u shpreh Kryemadhi.

Edhe kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, deputetja e PD-së Mesila Doda, dënon fjalorin e përdorur në sallën e Parlamentit nga të gjitha palët.

“Unë besoj se është një reagim i marrë prej tyre si pasojë e një temperature të ngritur brenda Kuvendit, në momente që nuk kanë qenë etike. Kemi nevojë për një rishikim të gjuhës që kemi përdorur në Parlament”, tha Doda.

Doda shtoi se shumë shpejt Aleanca e Grave Deputete do të paraqesë një iniciativë lidhur me Kodin Etik në Parlament.

Top Channel