Fino: Ndarja miratohet në korrik

03/07/2014 00:00

Kur u duk se palët ishin vullnetplota në gjetjen e konsensusit për të miratuar bashkarisht reformën territoriale, ofertat finale tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimet fillestare.

Ndërsa pritej që Partia Demokratike të paraqiste opsionet e saj për hartën territoriale, një ditë pasi u pa se nuk pati asnjë propozim të tillë, forca më e madhe në opozite sqaron: nuk është kërkuar shtyrja e zgjedhjeve dhe para miratimit të hartës elektorale duhet të bëhet reforma e decentralizimit.

Eduart Halimi për Top Channel thotë se duhet të bëhet kjo reformë në fillim për t’i garantuar qytetarëve shërbim më të mirë, më shumë transparencë dhe më shumë të përfaqësuar në pushtetin vendor.

“Të ulemi, të hartojmë një platformë për këto tre çështje dhe pastaj të dalim tek meraku i hartës elektorale. Por mazhoranca nuk e ka hallin tek qytetarët. PD nuk e ka shprehur kurrë opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve. Ky është një spekulim i Edi Ramës përmes deputetëve të tij ose mediave”, deklaron Halimi.

“Absolutisht që ne jemi shprehur pro decentralizimit dhe për më shumë pushtet për autoritetet vendore. Duhet që dje ata të dilnin me një hartë të tyre. Por fakti që nuk dolën me një opsion, por vetëm e përgatitën atë dhe thanë se donin decentralizimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, tregon se ky është një qëndrim politik i tyre”, thotë Fino.

Ndërsa demokratët bëjnë të qartë se në tryezë me mazhorancën do të ulen nëse fillimisht diskutohet për decentralizimin, mazhoranca tregohet e vendosur t’i përmbahet vendimit për ta miratuar reformën territoriale brenda këtij sesioni.

“Nuk duhet të jetë harta elementi i parë i reformës dhe të tjerat më pas. Duhet të jenë interesat e qytetarëve të parat dhe pastaj harta. Ky është qëndrimi i opozitës dhe ne presim përgjigje nga mazhoranca. Nëse ka vullnet, koha brenda korrikut është e mjaftueshme për të hartuar reformën territoriale”, deklaron Halimi.

“Nuk ka kohë fizike nga sot deri më 31 korrik që të bëhet një ligj kaq i shpejtë e i rëndësishëm. Unë jam që këto opsione për reformën territoriale t’i miratojmë brenda këtij sesioni parlamentar dhe në sesionin e ri jemi gati të diskutojmë për ligjin e decentralizimit të pushtetit vendor, që do kalojë brenda vitit dhe shtator-tetorit të kësaj vjeshte. Ne nuk kemi asnjë afat shtyrjeje”, nënvizon Fino nga ana tjetër.

Kryetari socialist i komisionit të reformës territoriale shton se mazhoranca është mandatuar për të kryer reforma dhe e udhëhequr nga ky parim do të miratojë edhe e vetme hartën e re të ndarjes së vendit.

Shtuar kësaj, thotë ai, edhe faktin se 70% e drejtuesve të pushtetit vendor, përfshirë edhe të djathtë, kanë dhënë konsensusin për variantin e paraqitur nga qeveria.

Në këtë panoramë të qëndrimeve mazhorancë-opozitë, ku duket se palët janë larg një qëndrimi përbashkues, në apelin reciprok për bashkëpunim që vijojnë t’i drejtojnë njëra-tjetrës mbajnë në vëmendje faktin se konsensuset më të mëdha janë gjendur në minutën e fundit.

Top Channel