Kosova ka filluar ndërtimin e autostradës së dytë, përmes së cilës Prishtina do të lidhet me Shkupin. Në ceremoninë zyrtare, kryeministri Hashim Thaçi e emërtoi këtë autostradë “Arbën Xhaferi”, ndërsa tha se po përmbushen ëndrrat e shqiptarëve dhe objektivat e misionit të ri.

“Projekti i autostradës Prishtinë-Shkup është projekti më madhor i yni, që hyn në kuadër të pikave më të rëndësishme që kemi prezantuar në ‘Misionin e Ri’ para qytetarëve të Kosovës. Dhe, ky projekt e ka fituar besimin qytetar, e ka fituar besimin e Qeverisë së Kosovës, si një prej projekteve më të rëndësishme. Këtë projekt madhor për vendin tonë, për shtetin tonë, kemi vendosur që ta emërtojmë me emrin e intelektualit më të spikatur të kombit tonë, Arbën Xhaferi”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Thaçi ka ftuar edhe Qeverinë e Maqedonisë, që të ndërtojë një rrugë nga unaza e Shkupit, deri në kufirin me Kosovën, për ta lidhur me këtë autostradë. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ka thënë se autostrada Prishtinë-Shkup, përveç se lidh shqiptarët nga dy anët e kufirit, po ashtu lidh Kosovën me rrugë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Kosova do të ketë rastin të lidhet me dy korridore të rëndësishme, korridorin 8 dhe korridorin 10. Sikurse mund të lidhet edhe me detin Egje, me Detin e Zi dhe, përmes Maqedonisë, me Shqipërinë dhe Bullgarinë, Greqinë e të tjera”, tha Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë.

Për këtë projekt ka folur edhe ministri kosovar i Infrastrukturës, i cili ka thënë se projekti ka qenë transparent dhe me tender ndërkombëtar.

“Autostrada, që po fillojmë sot, përveç se është vepër e madhe infrastrukturore, që tejkalon përmasat e rëndësisë dhe dobisë nacionale, është rrugë që afron kombet, rrugë që rrit bashkëpunimin, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin ekonomik”, tha Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës.

Autostrada Prishtinë-Shkup është e gjatë 55 kilometra. Ajo do të kushtojë rreth 600 milionë euro, ndërsa është parashikuar të kryhet brenda 42 muajve nga konsorciumi turko-amerikan, Bechtel & Enka. Në ceremoninë e nisjes së punimeve, për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, ishte e pranishme edhe Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jackobson, e cila refuzoi të mbajë një fjalim rasti, kur u ftua nga moderatori.

Top Channel