Gjykata Kushtetuese mund të pranojë së shpejti edhe një lëndë tjetër për interpretim, para se Kosova të bëhet me Qeveri.

Kjo, pasi dy forcat politike, PDK në njërën anë dhe grupi opozitar në anën tjetër, kanë qëndrime shumë të kundërta rreth së drejtës që ato pretendojnë se kanë, se kujt i takon pozita e kryeparlamentarit.

Sikurse në çështjen e të mandatuarit për Qeverinë, edhe në këtë të konstituimit të Kuvendit, njohës të Kushtetutës japin interpretime të ndryshme, ndërsa paralajmërojnë që edhe kjo çështje mund të përfundojë në gjykatë për interpretim.

Dren Doli, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, mendon se grupet parlamentare mund të krijohen para se të votohet për kryeparlamentarin dhe, sipas tij, kjo mund t’i japë të drejtë opozitës të propozojnë kryeparlamentarin.

“Mbetet që grupi më i madh parlamentar, i cili jo domosdoshmërisht është refleksion i partisë politike apo i koalicioneve politike që përfaqësohen në Parlament, të propozojë të mandatuarin e Kuvendit dhe të propozojë emrat e Kryesisë. Nëse një propozim i tillë dështon, apo nëse partitë kanë mospajtime në lidhje me faktin se kush do të duhej të ishte kryeparlamentar, atëherë vendimin e Kuvendit për zgjedhjen apo moszgjedhjen e kryeparlamentarit mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Besoj që Gjykata Kushtetuese prapë do të japë vlerësimin e saj, mbi mënyrën se si duhet të kuptohet ‘grupi më i madh parlamentar’ dhe kush e ka të drejtën fillimisht që të propozojë kryeparlamentarin”, tha Dren Doli, jurist.

Mirëpo njohësi tjetër i së Drejtës Kushtetuese, Florent Muçaj, vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mandatuarin e Qeverisë e ka sqaruar edhe njëherë, se çfarë do të thotë shumicë parlamentare dhe, me këtë rast, sipas tij, është e qartë se kujt i takon pozita e kryeparlamentarit.

“Kushtetuta është shumë e qartë dhe përcakton që, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar realisht, ndërsa në Kryesinë e Kuvendit dy grupet më të mëdha parlamentare kanë nga dy përfaqësues, ndërsa tri grupet e tjera kanë nga një përfaqësues. Grupi më i madh parlamentar realisht i bie të jetë koalicioni fitues, për faktin se përfaqëson vullnetin e sovranit. Dhe, sipas rregullores, grupet parlamentare, në ditën e parë në seancën konstituive, duhet të ulen në Kuvend sipas vullnetit të sovranit, më vonë mund të krijohen grupe parlamentare të tjera”, tha Florent Muçaj, jurist.

Në rast se gjatë konstituimit të Kuvendit, kryeparlamentari i propozuar nga cilado forcë nuk i merr 61 votat e nevojshme, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare, pa iu dhënë mundësia askujt për ta bërë qeverinë e re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA