Me synimin për t’i dhënë fund, asaj që kryeministri Edi Rama e cilëson si një traditë e turpshme, atë të ndotjes së plazheve duke hedhur pa kriter mbeturinat, për herë të parë është ngritur struktura e quajtur “Kampi i Vullnetarëve”.

“Është një program i ri, që ne e vëmë në jetë për herë të parë, që synon që t’i japë fund një tradite shumë të turpshme dhe që na vë të gjithëve, si shoqëri dhe si vend, në pozitë të tmerrshme, edhe me vizitorët e huaj të plazheve të pista, të plazheve ku çfarë konsumohet hidhet në rërë, të plazheve ku nuk ka kujdes për mjedisin”, tha kryeministri Rama.

Në Golem, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ka marrë jetë për herë të parë kjo nismë, që do të shtrihet në të gjithë vijën bregdetare. Kampet e vullnetarëve janë planifikuar si një bashkëpunim i Forcave të Armatosura, vullnetarëve dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e këtij aksioni, për të pastruar jo vetëm plazhin, por edhe për të disiplinuar të gjithë mbarëvajtjen e pushuesve gjatë sezonit.

“Duhet të këmbëngulim që, pak nga pak, të gjithë pushuesit të marrin pjesë në këtë përpjekje, duke mos hedhur mbeturinat ku të munden, por duke siguruar që të gjitha mbeturinat e konsumit të tyre në plazh të hidhen në në pikat e caktuara. Kjo do të ishte një fitore historike për një shoqëri, që pret shumë më tepër se kaq nga turizmi, si dhe për një vend që kërkon të jetë me nam të madh dhe të mirë, si vend turistik. Pengesa e parë që kemi janë plehrat dhe kultura jonë mizerabël e marrëdhënies me mjedisin. Por, lehtësisht mund ta ndryshojmë këtë, duke menduar siç mendojmë për shtëpinë tonë, asnjëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë… Atëherë përse duhet t’i hedhim në mes të plazhit”, u shpreh kreu i qeverisë, Rama.

Përveç pastrimit, nisma synon  të rrënjosë edhe kulturën e mirëmbajtjes së plazheve, për të cilën vullnetarët e këtij projekti do të angazhohet edhe për të propaganduar te pushuesit, përmes metodave të ndryshme, informimin dhe ndërgjegjësimin për hedhjen e mbeturinave në vendet e caktura nëpër plazhe.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta