Tregu në ish-uzinën “Dinamo” në Tiranë po shkon drejt mbylljes. Fillimisht janë mbyllur 43 subjekte, që ushtronin aktivitetin në një prej tregjeve më të mëdha të vendit.

“Shqetësimet aty janë shumë të mëdha. Kemi prani lagështire e papastërtish, nuk kemi menaxhim të mirë të mbetjeve të produkteve të tregtuara dhe përpunuara aty. Janë vënë re shumë subjekte të papajisura me dokumentacionin përkatës të nevojshëm, me regjistrimin në QKR dhe organet tatimore. Pjesa më e madhe e tyre nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara nga Autoriteti Kombëtar të Ushqimit, ndaj dhe ne kemi marrë menjëherë masën e mbylljes së aktivitetit për 43 subjekte. Janë gjobitur 7 subjekte dhe janë dhënë paralajmërime për 17 të tjerë”, tha Taulant Kalo, drejtor i AKU.

Për herë të parë, në një “Task Forcë” për sigurinë ushqimore, janë bërë bashkë Prefektura dhe Bashkia e Tiranës, përfshirë edhe struktura që varen nga qeveria, siç është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të cilat do të monitorojnë situatën dhe do dalin me vendim të përbashkët, që mund të çojë deri në mbylljen e tregut të fruta-perimeve në ish-uzinën “Dinamo”.

“Kemi vënë re se situata paraqitet tejet problematike, sidomos në tregun e ish-uzinës Dinamo, por edhe në tregun pranë shkollës teknologjike. I kemi sugjeruar AKU-së që, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, të marrë vendime për marrjen e masave të rrepta administrative ndaj këtyre subjekteve, deri në ndalimin apo mbylljen e tyre në përputhje me ligjin”, u shpreh Sadi Vorpsi, Prefekt i Tiranës.

“Në emër të Bashkisë së Tiranës, konfirmoj edhe njëherë faktin që të gjitha institucionet në varësinë tonë, përfshi Policinë Bashkiake, është plotësisht në përkrahje dhe do të punojë me institucionet që varen nga qeveria qendrore, si AKU apo Policia e Shtetit, në zbatim të masave dhe detyrave që Task-Forca do të përcaktojë. Për ne, shëndeti i qytetarëve dhe cilësia e jetës së tyre janë të parat. Besoj se me këtë bashkëpunim të sotëm japin sinjalin e mirë se si, për një interes të madh publik, pushteti qendor dhe ai vendor mund të bashkëpunojnë dhe të arrijnë rezultate”, deklaroi Enno Bozdo, nën/kryetar i Bashkisë Tiranë.

Para disa muajsh, Bashkia e Tiranës tentoi mbylljen e tregut dhe largimin e tregtarëve në tregun e shumicës në autostradë, çka bëri që të konfliktohej Policia Bashkiake dhe Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit, të mbështetur dhe nga forcat e Rendit.

Tanimë duket se të gjithë strukturat janë bashkë, duke u mbështetur në sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta