Pas vendosjes së bustit të Nolit në Elbasan dhe deklaratës për mospranimin e vendosjes së tij në Durrës, Kisha Ortodokse e “Apostull Pavlit dhe Shën Astit” në Durrës ka reaguar me një deklaratë publike.

Ajo deklaroi se ishte shoqata “Foleja kombëtare shqiptare”, që ndërpreu bisedimet zyrtare me Kishën dhe se situata e krijuar nuk është aspak e denjë.

“Mënyra se si u veprua ditën e djeshme nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për vendin dhe për kishën, por e ul dhe e fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Fan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë. Për të realizuar këtë, ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve lokale-vendore të qytetit”, u shpreh At Spiro Kostoli.

Në Bashkinë e Durrësit bëjnë të ditur se nuk kanë pasur asnjë kërkesë zyrtare për vendosjen e bustit të Nolit në Durrës, ndërsa rreth 2 vite e gjysmë më parë, pranë saj u depozitua një kërkesë për vendosjen e emrit “Fan Noli” rrugës pranë Kishës, ku Imzot Noli mbajti meshën e parë në shqip, më 10 Mars 1914.

Rruga nuk u emërtua me emrin e rilindasit të shquar, por me atë të Spiro Putecit, nga komisioni i ngritur pranë Këshillit Bashkiak në atë kohë, për emërtimin e rrugëve.

Pas kësaj deklarate ka ardhur reagimi i shoqatës “Foleja kombëtare”, ku shpjegohet pjesa e kërkesës zyrtare dërguar më 18 Qershor për vendosjen e bustit në kishën e Durrësit dhe thuhet se, “nëse ata duan të japin përgjigje pozitive, që busti të vendoset në oborr të Kishës, ne marrim përsipër që të financojmë dhe ndërtojmë një bust edhe më të madh për Mitropolitin Theofanin. Kisha Ortodokse në Durrës nuk mund të manipulojë opinionin publik me hipokrizi. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit, dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit!”.

Top Channel