Ndërkombëtaret po e ndjekin nga afër ngërçin e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe një raport që po qarkullon mes diplomatëve në Prishtinë e paraqet situatën të rrezikshme, duke paralajmëruar mundësinë e hyrjes në një destabilitet politik.

Një memo që është publikuar nga mediat atje, rekomandon krijimin e një qeverie teknike gjithëpërfshirëse me axhendë të qartë evropiane, e cila duhet të përfundojë reformën elektorale, të nisë dhe përfundojë amendamentët në Kushtetutë, sidomos në këto dy pika kyçe: Zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhja e qeverisë. Po ashtu qeveria duhet të aprovojë tre ligjet në lidhje me Gjykatën Speciale për Krimet e Luftës.

Dokumenti nënvizon se vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, duhet të jenë prioritet. Fokus të veçantë do të ketë krijimi i Shoqatës së Komunave të Kosovës.

Kjo qeveri teknike e supozuar sipas kësaj memoje, pritet të drejtojë vendin për dy vitet e ardhshme deri në mars 2016. Të gjitha partitë politike të përfaqësuara në parlament do të duhen të nënshkruajnë një marrëveshje ku bien dakord që Kuvendi të shpërndahet vetvetiu në mars 2016.

Parlamenti i ri, i dalë nga këto zgjedhje do të formojë më pas qeverinë e gjithashtu do të zgjedhë edhe Presidentin.

Dokumenti nënvizon se çdo qeveri që mund të formohet si nga partitë opozitare, apo edhe nga PDK e Thaçit me të pakënaqurit e partive që kanë krijuar koalicionin postzgjedhor, do të jetë e brishtë dhe në Kosovë nuk do të ketë stabilitet. Ndaj ata sugjerojnë që kryeministri i ri të zgjidhet me konsensusin e të gjitha partive dhe çdo subjekti të caktojë ekspertët e vetë në ministritë që do të drejtojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA