
Pas tre refuzimesh dhe një shtyrjeje vendimi, BE vendosi që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, që konfirmohet të premten nga samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive.
Për Komisionin Europian, vendimi konsiderohet një sinjal i rëndësishëm politik për Shqipërinë që tregon se vendi po ecën drejt fazës tjetër në procesin e integrimit europian dhe rritet niveli i marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit.
Në praktikë, Shqipëria tashmë do të ftohet për të marrë pjesë në mbledhjet e hapura të Këshillit të BE-së për vendet kandidate. Lehësohet qasja e Tiranës dhe bashkëpunimi me agjencitë europiane, ku do të ketë rol vëzhgues, si dhe mund të ngrihen komitete të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komitetit të Rajoneve, ose/dhe me Komitetin Ekonomik dhe Social.
Ndërsa në aspektin ekonomik, vlerësohet se kandidatura rrit investimet e huaja, rrjedhimisht dhe punësimin, ndërkohë që vendi do të vijojë të përfitojë nga fondet e paraanëtarësimit dhe programet e BE-së.
Shqipëria gëzonte statusin e vendit “potencialisht kandidat” prej vitit 2003, kur u mbajt samiti i Selanikut. Kërkesa formale për anëtarësimin në BE u dorëzua në prill të vitit 2009 në Pragë, megjithëse presidenca çeke e BE-së në atë kohë dhe Komisioni Europian këshilluan që vendi të mbante më parë zgjedhje të lira e të ndershme.
Në opinionin e Komisionit një vit më pas u vlerësua se për të nisur negociatat, Shqipëria duhet të arrinte njëfarë niveli të plotësimit të kritereve të anëtarësimit dhe për këtë u identifikuan 12 prioritete kyçe.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, që sollën ndërrimin e pushtetit, Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit kandidat në tetor të 2013, që u përforcua në fillim të këtij muaji dhe nisi Dialogun e Nivelit të Lartë me autoritetet shqiptare për prioritetet kyçe të paplotësuara, të nevojshme për nisjen e negociatave për anëtarësim.
Reformat konkrete e të qëndrueshme në gjyqësor, administratë, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore, mbeten kyçe për Tiranën që të nisë bisedimet, siç përcaktoi dhe Këshilli i BE-së në dhjetor, ndërkohë që ky proces të nisë nevojitet në anën tjetër unanimiteti mes 28 vendeve anëtare.
Pergatiti: Arta TOZAJ
Top Channel