Lazarat, zbulohen sërish armë e drogë

21/06/2014 00:00

Mijëra kilogramë kanabis e heroinë, qindra armë, një sasi e konsiderueshme municionesh dhe 18 të arrestuar, që janë të dyshuar për sulme me armë, kundërshtim të policisë, kultivim të kanabis sativës, mbatje të armëve e municioneve luftarake dhe dëmtim të pronës.

Ky është bilanci i operacionit policor të nisur që prej së hënës në fshatin Lazarat, i cili deri mbrëmjen e së shtunës ka regjistruar mbi 413 banesa të kontrolluara. Policia e Shtetit bën të ditur se deri më tani janë asgjesuar 112 mijë e 152 rrënjë dhe fidanë kanabis sativa, si dhe sasia prej 39 tonë e 156 kg po kanabis, e gjetur jo vetëm në banesa por edhe në bodrume.

Gjithashtu, gjatë orëve të mesditës në një ambient në qendër të fshatit janë gjetur dhe 8 pako heroinë, për të cilën është duke u punuar nga policia për të identifikuar pronarin e saj.

Gjatë kontrolleve të ushtruara të shtunën janë gjetur dhe uniforma policie, një pushkë snajper, dokumente të shumta identiteti, mes të cilave një kartë identiteti e një shtetasi serb, për të cilat ka nisur menjëherë verifikimi. Po ashtu janë sekuestruar dhe 5 laboratorë të përpunimit të drogës, dy prej të cilëve përdoreshin për përpunimin e vajit të hashashit.

Përveç drogës, ajo që ka habitur policinë është arsenali i madh i municioneve që po zbulohen në këtë fshat, sikundër janë gjetur deri më tani: 92 armë zjarri automatikë e pushkë, 37 granata, 6 pistoleta, 3 mitralozë të rëndë, 2 antitankë, 1 mortajë, 2 granata-hedhës, 2 armë të vjetra, 3 armë gjahu dhe 2 snajperja.

Po ashtu janë sekuestruar: 37.084 fishekë të llojeve të ndryshme, 9 arka me fishekë, 3 kaseta me fishekë, 7 kallëpë tritol, 2 pako kapsolla detonatorë, 16 granata dhe 4 kuti predhash. Nga ana e forcave speciale janë gjetur e sekuestruar 5 automjete me armatim e municion, si dhe 10 automjete bosh.  

Operacioni i kontrollit në banesa do të vazhdojë në të gjitha objektet që ndodhen në Lazarat, ndërsa në fshat ka nisur të kthehet normaliteti.

Veliaj: Lazarati, “tumori” nuk ekziston më

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj deklaroi se zyrat e punës do të jenë në shërbim të të rinjve të Lazaratit, që ata të përmirësojnë jetën e tyre me punë të ndershme.

Nga Pogradeci, ku mori pjesë në një aktivitet, Veliaj deklaroi se tashmë Gjirokastra është një zonë e lirë dhe me potenciale punësimi e zhvillimi.

“Fshati është kthyer në hapësirë mëse normale në Shqipëri. Ajo ka qenë një situatë e patolerueshme, një tumor dhe më vjen mirë që ceni i vetëm që kishte Gjirokastra sot nuk është më. Zyra jonë e punësimit në Gjirokastër ka filluar punën dhe gjykoj se atje ka shumë mundësi punësimi”, deklaroi Veliaj.

Policia ndërkohë po dokumenton, veç provave hetimore, edhe identitetin e personave që kanë qenë pjesë jo vetëm e kultivimit por edhe e rrjetit të shpërndarjes së lëndës narkotike, pasi pjesa më e madhe e burrave të fshatit janë larguar nga shtëpitë gjatë kohës që policia po avanconte në fshat.

Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë, Altin Qato, të paktën 30 persona janë shpallur në kërkim si pjesë e gurpit që qëlloi me armë kundër policisë, mes të cilëve kishte edhe persona që nuk ishin banorë të Lazaratit, të cilët mund të kenë qenë të punësuar nga kultivuesit e lëndës narkotike, por edhe kriminelë që kishin gjetur strehim në këtë fshat.

Lazarat, në fshat rinis jeta normale

Në Lazarat, ku vetëm pak ditë më parë oshëtinin të shtënat e dhjetëra armëve, duket se mbizotëron sot qetësia. Fundjavën e parë të rifillimit të jetës si një fshat i zakonshëm, në rrugë duken pak njerëz.

Rrugicat ende janë të zbrazëta dhe forcat speciale nuk i kanë braktisur pozicionet në pikat më dominuese. Shtëpitë filluan të pupullohen në orët e para të mëngjesit dhe gratë po rivendosin rregullin nëpër oborre e ballkone.

Gjatë natës shumë banorë nxorrën sasinë e fundit të marijuanës që po vazhdon të digjet para kontrollit të policisë. Por gjurmët e kultivimit prej dy dekadash nuk mund të fshihen.

Kudo duket infrastruktura e ngritur në funksion të kanabisit, depozita të mëdha uji, pleh, gropa të hapura, kubikë plastikë për bimët dhe mjete të shumta pune. Në çdo magazinë, stallë apo hangar policia ka gjetur vegla prashitjeje, qindra gërshërë dhe pajisje për tharjen e bimëve.

Fshati popullohet këtë fundjavë kryesisht nga gratë dhe fëmijët, ndërsa burrat u rikthyen pranë familjeve në ato shtëpi ku policia nuk identifikoi bimë të mbjella apo sasi marijuane. Më shumë se dy të tretat e banorëve të fshatit presin përfundimin e veprimeve hetimore për t’u kthyer në shtëpi.

Shumica e mjediseve të shërbimit, bare, lokale dhe dyqane janë të mbyllura ende, por banorët mendojnë se normaliteti është rikthyer. Situata më e vështirë besohet se ka kaluar. Policia po asgjeson sasi të mëdha marijuane, ndërsa kontrollet nëpër shtëpi vazhdojnë me ritme të shpejta.

Deri tani skuadrat e ekspertëve mendohet të kenë krehur më shumë se 60% të hapësirës së fshatit, ndërsa faza e dytë e operacionit për asgjesimin e çdo rrënje kanabis pritet të shkojë paralelisht me rivendosjen e normalitetit në bastionin e dikurshëm të trafikantëve.

FOTO GALERI
16/20

Top Channel