Partitë opozitare të bashkuara kundër një mandati të ri të Partisë Demokratike të Kosovës e vlerësojnë si anti-kushtetues dhe të panevojshëm vendimin e presidentes Atifete Jahjaga për të kërkuar mendim nga Gjykata Kushtetutese për mandatarin e ri të qeverisë.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjës Vetëvendosje dhe subjektit të ri Nisma për Kosovën thonë se nenet kushtetutese për të cilat Jahjaga kërkoi sqarim nga gjykata janë të qarta. Zyrtarë të tri subjekteve kritikojnë presidenten se është ndikuar nga PDK-ja e Thaçit.  Nuk mungojnë vlerësimet negative në adresë të  stafit të saj për ecurinë drejt kësaj cështjeje.

“E shoh si të paarsyeshme dhe si mungesë të kapaciteteve. Është shumë e qartë edhe logjika si është ndërtuar Kushtetuta dhe logjika institucionale. Qeverinë e formon ai grup parlamentar, ose ai grup politik që arrin të formojë shumicën e numrave në Kuvend. Ata që kanë 61 mandate, ata formojnë qeverinë. Është e thjeshtë”, thotë Arben Gashi nga LDK.

Zyrtarët e AAK-së partia e cila pretendon ta marrë postin e kryeministrit deklaruan se nuk e kanë të harmonizuar vlerësimin për vendimin e presidntes.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se vendimi i presidentes është në kundërshtim me nenin 113 të Kushtetutes së Kosovës dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Sipas Haxhiut edhe po të kishte drejtë ligjore presidentja, mendimi nga gjykata kushtetese duhet të kërkohet pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

“Sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës është e qartë se për cfarë cështje Presidentja mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe në asnjërën prej pikave të këtij neni nuk rezulton se Presidentja ka të drejtë që të parashtrojë një kërkesë për për përputhshmërinë e neneve brenda Kushtetutës. Nëse do të kishte bazë kërkesa e presidentes, neni 132 saktëson se afati është brenda 60 ditëve nga momenti lindjes së cështjes. Pra juridikisht kontesti nuk ka nisur ende për shkak se nuk kemi rezultatet ende nga KQZ”, deklaron Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje.

Zyrtarë të subjektit të Fatmir Limajt nuk dëshirojnë të komentojnë vendimin e presidentes me arsyetimin se duan t’i shmangen presionit mbi institucionet e drejtësisë. Por se kushtetuta është e qartë e thonë edhe në këtë parti.

“Kush ka shumicën e mandatarëve në Kuvend, kush ka 61+ formon qeverinë. Grupi më i madh parlamentar që regjistrohet nga momenti i çertifikimit të rezultateve ja jep kryetarit të Kuvendit. Për ne është e qartë. Ne si kryesi e Nismës për Kosovën kemi vendosur që të mos e komentojmë veprimin e Presidentes, duke patur parasysh që pushtetet janë të ndara dhe cdo koment i yni në këtë fazë do të merrej si presion ndaj Presidentes dhe Gjykatës Kushtetuese. Ne dëshirojmë që të gjithë të jenë të lirë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre kushtetuese”, shprehet Bilal Sherifi nga Nisma për Kosovën.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga të enjten kërkoi nga Gjykata Kushtetutese të vlerësojë përputhshmërinë e dy neneve të Kushtetutes, nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës. Sipas presidentes në këtë mënyrë do të sigurohet një proces i drejt dhe i besueshëm, që do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA