Vizita treditore e kryeministrit kinez Li Keqiang në Athinë thekson karakterin strategjik të marrëdhënieve Greqi-Kinë dhe faktin se Greqia mund të bëhet një portë për tregtinë dhe investimet midis Europës dhe Azisë.

Kështu ka vlerësuar kreu i qeverise greke Andonis Samaras, që ka pritur homologun e tij në aeroportin e kryeqytetit helen. Athina zyrtare, që po i jep një rëndësi të veçantë kësaj vizite, shpreson të tërheqë investimet kineze në programin e saj ambicioz të privatizimit.

Deri të shtunën pritet që dy vendet të nënshkruajnë marrëveshje me vlerë mbi 6.5 miliardë dollarë në sektorët e ndërtimit të anijeve, të energjisë, te infrastrukturës, të transporteve, sipërmarrjeve të ndërtimit, prodhimit të verës dhe vajit të ullirit.

Pasi ka theksuar se Greqia dhe Kina janë vende tepër të lashta, me qytetërime të mëdha dhe se njëri vend ndriçon Lindjen dhe tjetri Perëndimin, duke dhënë kontribute kolosale në zhvillimin e njerëzimit, Li Keqiang ka shprehur mbështetjen e Pekinit përsa i përket rritjes së blerjeve të bonove greke.

“Ne kurrë nuk e kemi braktisur tregun grek, por po rrisim blerjet tona. Kam shprehur dëshirën time tek zoti Samaras se kur qeveria greke të hedhë në treg obligacione të reja, Kina të vazhdojë të jetë një investitor afatgjatë i tyre”, deklaroi Li.

Kina është tashmë e pranishme në Greqi me kolosin gjigand të transporteve COSCO, që menaxhon disa terminale të portit të Pireut në një marrëveshje të bërë në 2008, ndërsa ka shprehur interes për blerejn e shumicës së aksioneve të këtij porti që pritet të privatizohet tërësisht.

Pekini sheh Greqinë si një portë hyrjeje për shpërndarjen e produkteve kineze në Europë. Pas vizitës në portin e Pireut, kryeministri kinez viziton edhe Kretën, në një moment kur Greqia kërkon investitorë për blerjen e aeroportit të ishullit.

Top Channel