
Prej të hënës lajmi kryesor është ndërhyrja e Policisë së Shtetit në Lazarat, fshati që prej gati 16-17 vitesh operonte në një mënyrë mes të ligjshmes dhe të paligjshmes në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike duke qenë simboli, por jo zona e vetme në Shqipëri që merrej me këtë biznes.
Tashmë në Lazarat kanë hyrë forcat e policisë që pasditen e së enjtes ka marrë nën kontroll të gjithë fshatin. Ishte një gjë që nuk pritej, megjithëse dëshirohej nga shumica e shqiptarëve. Por në prag të vendimit për statusin kandidat ky operacion i policisë merr edhe një kuptim politik. Ka edhe pikëpyetje që lidhen me operacionin, për atë që do të ndodhë të nesërmen, kur të ketë përfunduar ky operacion në Lazarat?
Rreth kësaj cështje të ndjeshme të realitetit shqiptar u fol në takimin e kësaj të enjteje në Top Story me gazetarin Sokol Balla me të ftuar Roland Bejkon, lazaratas ish-zyrtar i Partisë Demokratike që në zgjedhjet e fundit kandidoi nën siglën e Partisë Republikane dhe sipas Mero Bazes, edhe ky i ftuar në panel, është kandidati më i votuar në Lazarat duke marrë rreth 900 vota nga fshati, Gjergj Bojaxhi, që ka një përvojë të shkurtër por jo të vogël në kohën kur ishte Drejtor i KESH-it dhe analisti e gazetari Arjan Vasjari.
Në linjë telefonike nga Gjirokastra i zhvendosur për të ndjekur nga afër ecurinë e operacionit në Lazarat, i pari që foli ishte Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Besoj që kemi bërë shumë progres në këtë operacion duke konsideruar domosdoshmërinë për të ecur ngadalë me hapa të sigurtë për të shmangur pasojat në jetët e njerëzve. Është një operacion i vështirë, një sipërmarrje që në 23 vitet e fundit ka dështuar. Është një operacion i jashtëzakonshëm që e kemi lënë në 23 vite duke ndërtuar një bunker të krimit. Policia po bën maksimumin për të shpëtuar Lazaratin nga ata pak njerëz që e mbajnë peng dhe për t’i dhënë mundësinë që të zhvillohet si cdo zonë tjetër e vendit”, tha ministri Tahiri.
Por a mund të thuhet që “Republika e Lazaratit” ra? Kësaj pyetjeje ministri Tahiri iu përgjigj shkurt duke thënë se refuzon t’i përgjigjet deri në përfundim të operacionit të forcave të rendit të angazhuara atje.
“Në këto momente është më e rëndësishme që të mbështesim të gjithë Policinë e Shtetit, djem e vajza bij nënash që po sakrifikohen edhe nën kërcënimin e plumbave për të vendosur sundimin e ligjit në këtë zonë dhe për të na bërë të gjithëve ne një shoqëri të denjë për njëri-tjetrin dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, por mbi të gjitha për të na bërë të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe për të mos lejuar kërkënd që të jetë mbi ligjin”, tha Tahiri.
Cili ka qenë reagimi i banorëve të thjeshtë të Lazaratit? Ministri Tahiri tha se reagimi i përgjithshëm është pozitiv, ndërsa për reagimin e banorëve në Lazarat, sipas tij, është deri diku i arsyeshëm përsa kohë shoqëria dhe mbi të gjitha politika i kishte përcaktuar një fat ku dukej sikur nuk kishte mundësi tjetër.
“Po u tregojmë banorëve të Lazaratit se kjo zonë mund të jetë një zonë që jeton në qetësi dhe në zhvillim njëlloj si zonat e tjera të vendit. Besoj që po hapim një kapitull të ri zhvillimi për Lazaratin. Nuk është lufta me ata banditë që vlen, ky është një moment fare i përkohshëm, ajo që vlen më shumë është cila duhet të jetë terapia sociale, kolektive apo terapia ekonomike për këtë zonë”, shtoi Ministri i Brendshëm.
Operacioni është drejt përfundimit, por si do të trajtohet Lazarati më pas? “Për ne është e rëndësishme që t’i bëjmë banorët të kuptojnë që ky është një mundësi e re jetese dhe për t’i çliruar nga fati kriminal që kishin përcaktuar për këtë zonë një pjesë e mirë e politikës dhe ca banditë, që ditën bënin shërbimet e politikës dhe natën ato të krimit. Është shumë e rëndësishme që të ndahet ajo pjesë kriminale në fshat dhe ajo pjesë që ka përfituar në mënyrë kriminale që është brenda politikës. E kam thënë dhe e them që lidhjet e politikës me Lazaratin kanë përfunduar njëherë e mirë. Lidhjet e Lazaratit me ish-qeverinë kanë përfunduar njëherë e mirë. Fati i Lazaratit i përcaktuar në këto 23 vjet ka përfunduar njëherë e mirë dhe unë kam bindjen që po shënojmë një faqe të re në historinë e këtij fshati dhe të Shqipërisë në tërësi”, u përgjigj Tahiri.
Lazarati ishte kryetema e një debati të ashpër mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e së enjtes në parlament. Deputeti socialist, Taulant Balla akuzoi ish-kryeministrin Berisha për lidhje me personat e arrestuar për trafik droge në Lazarat. Madje ai tha se në disa prej tyre është gjetur numri i telefonit të ish-kryeministrit. A ka dijeni Ministri Tahiri mbi ekzistencën e këtyre lidhjeve?
Duke mos dashur të politizojë operacionin, ministri Tahiri shmangu replikën me akuzat e ish-kryeministri Berisha që një ditë më parë tha se Policia e Shtetit po plaçkit banesat e lazaratasve. “Përcjell me neveri çdo akuzë ndaj Policisë së Shtetit dhe vetëm kaq. As nuk dua të merrem me njeri. Ajo që më intereson në këto momente është që policia të përfundojë me sukses këtë aksion, pa pasoja për qytetarët. Më pas është historia që do gjykojë, këta që sot po shpëtojnë banorët e Lazaratit nga kriminelët dhe ata që sot kanë zgjedhur të jenë në krah të kriminelëve”, u shpreh Tahiri.
Në kohën kur policia kontrollon Lazaratin, Ministrja e Integrimit dhe Ministri i Jashtëm ndodhen jashtë vendit për të lobuar për marrjen e statusit kandidat. Po a ka lidhje ky lobim për vendimin e Brukselit më 24 qershor me operacionin?
Ministri Tahiri mohoi dicka të tillë. Ai tha se operacioni është paralajmëruar javë më parë kur ishte i ftuar në Top Story kur në njëfarë mënyrë la të kuptohej se në shtator 2014 nuk do të jetë gjendja e 2013 sa i përket mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
“Pasoja e parë është sundimi i ligjit dhe krijimi i mundësive për të gjithë qytetarët që ky vend të zhvillohet normalisht pa kërcënimin e kriminelëve. Ne e dijmë situatën specifike që kemi me kriminalitetin në vend, e dijmë historikun e marrëdhënieve të politikës me botën e krimit dhe nuk kemi aspak vullnet të tolerojmë që të vazhdojë e njëjta histori. Kështu i shërbejmë qytetarëve shqiptarë dhe integrimit të vendit në BE”, përfundoi intervistën e tij telefonike ministri Tahiri.
I pari që komentoi deklaratën e Ministrit ishte Roland Bejko, një lazaratas. Ai tha se Lazarati është pasoja dhe shkaku i kanabisit në Shqipëri. “Harta e mbjelljes së kanabisit është shumë e gjerë në Shqipëri. Historia e mbjelljes së kanabisit në Lazarat ka nisur rreth 2004 dhe nga viti 1997-1998 deri në 2000-2002 ka qenë një zonë problematike. Cdo lloj trafiku këtu nuk është bërë pa ‘bekimin’ e shtetit që hapte korridore për ta zhvilluar atë. Kur pashë këtë agresivitet me 800 forca m’u duk e tepruar, por edhe e justifikuar. M’u duk e tepruar pasi aty mund të zgjidhej problemi më lehtë me masa alternative që kanë patur efekte të pjesshme në të kaluarën. Vitin e kaluar prodhimi ishte i madh nisur edhe nga viti zgjedhor, por sasia e prodhuar në Lazarat nuk është ajo e përfolur në media për 5 miliard lekë etj etj. Lazarati është identifikuar politikisht, por aty ka të majtë e të djathtë që e mbjellin dhe unë i ndaj në tre kategori, fermerët, shoqëruesit e mallit dhe ata që e trafikojnë mallin”, tha Bejko.
Sipas tij, beteja po bëhet mes fermerëve që e mbjellin dhe policisë, ndërsa ata që fitojnë vërtet nga ky trafik ndodhen në Tiranë. Bejko tha se ndërhyrja ishte e ligjshme, por jo fort e moralshme për arsyet që ai përmendi.
Gazetari Mero Baze tha se është krijuar një perceptim për Lazaratin si një vend që ka prodhuar modele të papranueshme për shoqërinë, e para politike ishte i padepërtueshëm nga policia. Ai tha se Lazarati është “inkurajuar” nga Partia Demokratike. “Gjatë viteve të komunizmit është persekutuar në bllok dhe ashtu ka funksionuar duke patur një lloj solidariteti publik me njëri-tjetrin. Kjo u reflektua pas rënies ku PD pati bastionin më të fortë dhe më të madhin që ka në jug të Shqipërisë. Ka patur përkrahje nga PD në vitin 1992 për t’i punësuar dhe për t’i hapur mundësi ekonomike sepse është një fshat me shumë probleme me mbijetesën. Ndryshimi i pushtetit në ‘97 ka qenë një shok psikologjik për ta sepse shumë vetë humbën vendet e punës dhe shumë biznese që kishin nisur u vunë në pozita diskriminuese dhe u ngjall ajo ndjenja e rebelimit në fshat. Është fshati që ka bllokuar nja 2-3 rrugën në 1998. Në atë kohë u krijua fshati që nuk komunikon me qeverinë. Unë mendoj që përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria socialiste deri në vitin 2005 që nuk i interesonte shumë që të hynte në komunikim, e lanë si një geto. Ishte një gjest i papërgjegjshëm i shtetit shqiptar që për të hequr një telash politik u tha bëni cfarë të doni. Për fat PS në jug ka aq shumë vota sa nuk i hyjnë në punë votat e Lazaratit. Pas 2005 PD bëri të njëjtën gjë, duke ua quajtur si privilegj politik. Kështu ka ndodhur”, tha Baze i cili tha se Lazarati nga një problem politik i shëmtuar kaloi në një model ekonomik të shëmtuar.
Pjesa e dytë e Top Story nisi me një materila ekskluziv të gazetares Anila Hoxha që ka shoqëruar forcat e policisë gjatë kontrollit shtëpi më shtëpi dhe asgjësimit të sasive të mëdha të drogës së sekuestruar. Pamjet tregonin njërën nga banesat e Gate Mahmutaj, të dyshuar si kreu i rezistencës ndaj policisë, laboratorët e pajisur me pajisje për përpunimin e drogës por edhe nga banesat ku jetonin punëtorët që vinin nga zonat e tjera të vendit në këmbim të një pagese.
Në lidhje telefonike nga Lazarati, në këtë pjesë foli kreu i Komunës, Dasho Aliko. Ai tha se banorët e Lazaratit kanë bashkëpunuar me forcat e rendit, ndërsa u bëri thirrje elementëve kriminalë që të largohen nga fshati.
“Nuk jemi e vetmja komunë problematike për kultivimin e bimëve narkotike. unë falenderoj banorët dhe u bëj thirrje që të rrijnë të qetë nëpër banesat e tyre duke bashkëpunuar për të mirën e të gjithëve. Unë u kam bërë thirrje lazaratasve që të bashkëpunojnë me policinë që në fillim dhe u kam bërë thirrje të gjithë personave me precedentë kriminalë që të largohen menjëherë nga Komuna e Lazaratit. Komuna e Lazaratit dhe banorët u bënë bashkëpunëtorë në këtë operacion duke mbështetur forcat e policisë. Policia nuk ka asnjë shqetësim nga asnjë banor i Lazaratit. Ka disa orë që nuk ka asnjë të shtënë në Lazarat. U bëj thirrje lazaratasve që të jenë bashkëpunues dhe të ruajnë qetësinë”, deklaroi kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko.
Kreu i komunës shtoi më tej se ai kurrë nuk ka mohuar se nuk mbillej hashash në komunën e tij, por tha se përpjekjet e tij për të ndërgjegjësuar banorët kanë qenë të vazhdueshme. “Disa herë u kam bërë thirrje banorëve që të mos kultivojnë më kanabis sepse nuk është mirë për ta, nuk është mirë për fëmijët e tyre, nuk është mirë për Shqipërinë, nuk është mirë për integrimin e vendit”, tha ai.
Ndërsa duke u ndalur tek perspektiva e zonës që siguronte të ardhura vetëm nga ky aktiviteti i paligjshëm, kreu i Komunës Lazarat tha se duhet një bashkëpunim mes pushtetit qendror dhe atij vendor për të investuar në bonifikimin e lumenjve dhe për ndërtimin e një sistemi vaditës për territorin. Ai tha se ndër vite zona e Lazaratit është lënë në harresë nga investimet shtetërore në këtë sektor.
Megjithëse nisi që të hënën që të përflitej në të gjitha ambientet publike, televizionet dhe pjesa dërrmuese e politikës shqiptare, vetëm Partia Demokratike heshti deri të martën pasdite. Në pjesën e tretë Elona Meço solli një material të përgatitur mbi kronologjinë e reagimeve të demokratëve, të cilat nuk ishin të unifikuara. Ish-kryeministri Berisha ishte i pari ai që komentoi në Facebook duke dënuar sulmet ndaj gazetarëve dhe policisë, por duke kritikuar gjithashtu operacionin, që sipas tij ishte i pamenduar dhe i destinuar të dështojë. Por në këtë linjë nuk ishte Erzen Breçani, ish-kreu i forcave RENEA i liruar nga detyra së fundmi që përshëndeste operacionin si të mirëmenduar dhe me shpresën që këtë herë do t’i shkohej deri në fund. As kreu aktual i PD, Lulzim Basha nuk ndante të njëjtin mendim me Sali Berishën sa i përket operacionit.
Gazetari Mero Baze duke ironizuar deklaratat e Berishës për një operacion kaotik, tha: “E vetmja gjë që ishte kaotike në këtë mes, ishin deklaratat e opozitës mbi aksionin”, deklaroi Baze.
Edhe Gjergji Bojaxhi e cilësoi si të gabuar qëndrimin e opozitës. Ai madje shkoi më tej duke deklaruar se PD nisi që pas rezultateve të 23 qershorit të bënte opozitën për grupet e krimit, grupet e drogës. “Ndërtoi një skenar në ajër, që për mua ishte në ajër, por edhe sikur të ishte i vërtetë nga dolën këto nëse i eleminuam në 8 vjet? Jam dakort që qendrimi i Bashës ishte më korrekt. Është tepër vonë që me një deklaratë të mohosh të gjitha. Unë mendoj që secili ka thënë atë që mendon vetë, ndërsa në aspektin politik Berisha ka qenë më konsistent në qendrimin e tij politik. Ai mendon se konsistenca është ajo që ka më shumë rëndësi në politikë se sa morali”, tha Bojaxhi.
Analisti Arjan Vasjari tha se PD gati-gati u traumatizua nga operacioni në Lazarat. “Shikoj si problem që përfaqësuesi i PD, zoti Ruli është deputet i asaj zone dhe ende nuk ka vajtur atje”, tha Vasjari. Por cilës deklaratë duhet t’i qendrojmë, asaj të Bashës apo asaj të Berishës? Për Vasjarin: “Mendoj që duhet t’i qendrojmë deklaratës së Bashës. Zoti Berisha me deklaratat e tij dhe me atë që ndodhi sot në parlament, me etikën e tij po kthehet në një problem që kam frikë do të ketë kosto të mëdha politike për Partinë Demokratike”, tha ai.
Top Channel