Iraku i kërkon ndihmë SHBA-ve

18/06/2014 00:00

Iraku i ka ka kërkuar ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas situatës së trazuar të shkaktuar nga xhihadistët me zaptimin e qyteteve kryesore në vend. Një ushtarak i lartë amerikan konfirmoi se qeveria e Bagdadit ka kërkuar sulme të menjëhershme ajrore ndaj bazave të xhihadistëve.

Nga ana tjetër, pritet që presidenti Barack Obama të diskutojë krizën e Irakut me anëtarë të lartë të Kongresit amerikan. Por, përgjigja duket se do të vonojë, sepse SHBA mbeten të lëkundura në marrjen e vendimit për ndihmë.

Kjo, pasi amerikanët duket se nuk janë entuziastë për dërgimin e trupave jashtë vendit. Republikanët thonë se Irakut i duhet një përgjigje e shpejtë, por ende nuk kanë asnjë plan konkret zbatimi. Nga ana tjetër, demokratët fajësojnë ish-presidentin republikan, George W. Bush, për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, në vitin 2011.

Më herët, gjatë së martës, kryengritësit sulmuan rafinerinë më të madhe të naftës në veri të Bagdadit, duke e bërë kështu situatën më emergjente.

Kryeministri Nuri al-Maliki u bëri thirrje militantëve për armëpushim, në mënyrë që të mos ketë viktima të tjera në vazhdim. Qindra vetë besohen se janë vrarë nga fillimi i trazirave, të cilat nisën që javën e shkuar.

Irak, sulmohet rafineria e naftës
Xhihadistët qëllojnë me mortaja impiantin. Luftime të ashpra

Militantë të drejtuar nga islamistë sulmuan nga dy drejtime të ndryshme me mortaja e mitralozë rafinerinë më të madhe të naftës në Irak.

Shtëllunga tymi janë parë të ngrihen nga disa depo të saj pranë Baijit, 210 km në veri të Bagdadit. Luftime të ashpra raportohen ndërkohë edhe në qytetin perëndimor të Ramadit.

Forcat qeveritare ndërmorën të tjera sulme ajrore ndaj luftëtarëve të ISIS-it që po përparojnë drejt kryeqytetit. Kryeministri Nouri al Maliki drejtoi përmes televizionit një apel për unitet kombëtar.

Liderët sunitë myslimanë dhe kurdë që u shfaqën në krah të tij i bënë thirrje militantëve të ulin armët. Një nismë e tillë megjithatë pak pritet të ketë vërtet efekt, duke qenë se kreu i qeverisë e ka sponsorizuar hapur formimin e milicisë shiite për të luftuar në krah të trupave të rregullta ushtarake irakene.

Qindra vetë besohet të jenë vrarë që nga fillimi i ofensives së militantëve javën e kaluar; shumë prej tyre janë ushtarë të ekzekutuar në mënyrë publike e me shumë bujë nga skuadrat e pushkatimit të Shtetit Islamik në Irak dhe Levant.

Përparimi i shpejtë i luftëtarëve radikalë sunitë në Irak ka nxitur shqetësime të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë nga të dyja partitë e mëdha politike.

Përkeqësimi i situatës së sigurisë në këtë vend vjen në një kohë kur amerikanët kanë pak entuziazëm për angazhimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit.

Republikanë si senatori Mitch McConnell i mëshojnë idesë se situata kërkon një përgjigje urgjente nga Uashingtoni, por nuk bën asnjë propozim të qartë se çfare hapi duhet të hedhë konkretisht administrata e presidentit Obama.

Ata kritikojnë qeverinë për shkak se nuk la një forcë ushtarake amerikane në Irak pas vitit 2011, ndërsa demokratët kundërpërgjigjen duke i cilësuar hipokrite, sepse siç thonë, përgatitjet e Amerikës për tërheqjen nga Iraku u bënë nga ish-presidenti republikan George W. Bush.

Top Channel