
Çmimet botërore të naftës janë në nivelet e tyre më të larta për këtë vit, ndërkohë që përshkallëzimi i dhunës në Irak kërcënon me një çrregullim të eksporteve.
Niveli i mbi 3 milionë fuçive në ditë e bën Irakun, prodhuesin e dytë më të madh të naftës brenda OPEC-ut, ndaj situata në terren, kur ekstremistët e ISIS-it kanë marrë nën kontroll disa qytete veriore, po i mban tregjet në ankth.
Megjithatë, një kërcënim i tillë mund të jetë i ekzagjeruar. Zëri i Amerikës citon ekspertin Andreë Ricci, të firmës kërkimore “Levick” të Energjisë, i cili parashikon vetëm një rritje të lehtë të çmimit të benzinës dhe të naftës për ngrohje, në varësi nga kohëzgjatja e konfliktit.
Ndikimi i vërtetë që do të ketë në Shtetet e Bashkuara është se do të fuqizojë argumentet për pavarësinë energjitike dhe për energjinë e pastër, thotë ai.
Çmimet e naftës kanë qenë relativisht të qëndrueshme katër vitet e fundit, pjesërisht për shkak të kërkesës më të ulët në vendet e zhvilluara dhe të shtimit të burimeve alternative.
Eksperti i Reuters, John Kemp, kujton se janë edhe fushat naftëmbajtëse ende të pashfrytëzuara nga Libia në Iran. Megjithatë, shumë gjëra do të varen nga fakti, nëse kryengritësit do të mund të fitojnë terren të përhershëm në Irak, sepse nëse i gjithë vendi kthehet në duart e kryengritësve, atëherë kjo nuk do të ishte gjë e mirë.
Kërcënimi i trazirave kanë bërë që çmimet e naftës të arrijnë nivele rekord, që nga Shtatori i kaluar, por ai mund të jetë i kufizuar. Ekspertët e energjisë ndajnë bindjen e theksojnë faktin, që fushat më produktive naftëmbajtëse të Irakut, të cilat përbëjnë 80-90 përqind të kapacitetit të përgjithshëm, shtrihen në jug të vendit, pikërisht në ato zona, ku militantët sunitë nuk shihen me simpati.
Top Channel