
Ofensiva e xhihadistëve në Irak ka alarmuar edhe Europën. Qeveria gjermane ishte ndër të parat që reagoi, duke e cilësuar luftën kundër terroristëve të ISIS-it, detyrë të shtetit irakian, për stabilizimin e të cilit, vitet e fundit, edhe Gjermania ka derdhur një ndihmë të konsiderueshme financiare.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schwäer, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre europianë janë të një mendjeje se “shteti sovran i Irakut dhe ekzekutivi i tij duhet të sigurohen, që ky lloj terrorizmi të mos zërë vend”.
Qëllimi është që, në Bagdad të formohet një qeveri, e aftë për të vepruar përtej kufijve rajonal.
Shefi i diplomacisë gjermane, Franc-Walter Steinmeier, e kritikoi ashpër këtë fundjavë “paaftësinë e Bagdadit zyrtar” për të promovuar stabilitetin e vendit, përmes përfshirjes së të gjitha grupeve dhe rajoneve të popullsisë.
Ndihma ndërkombëtare, përfshirë dhe 400 milionë euro në dhjetë vitet e fundit nga Gjermania, është përdorur në mënyrë joefektive, tha ai. Pyetjes se, çfarë mund të bëjë tani Berlini, Steinmeier iu përgjigj se, pavarësisht “marrëdhënieve tradicionale të qëndrueshme me të gjitha vendet e rajonit, kontributi gjerman nuk duhet të mbivlerësohet, ndërsa shtoi se nuk ka plane për angazhimin e trupave gjermane në vendin e trazuar.
Kryediplomati i druhet shpërthimit të ndonjë lufte mes fuqive rajonale dhe shton se Iraku mund të kthehet në një vend pa zot, ku të veprojnë terroristët e çdo drejtimi apo islamistët.
Top Channel