Tepelenë, degradim i Ujit të Ftohtë

14/06/2014 00:00

Ndotja e zonës së Ujit të Ftohtë në Tepelenë, nga subjektet që tregtojnë produkte të ndryshme ushqimore atje, ka marrrë përmasa të mëdha.

Ekspertët e mjedisit deklarojnë se prej disa vitesh kjo zonë po përballet me një degradim mjedisor që nisi me sëmundjen e rrapit dhe me tharjen e disa pemëve qindravjeçare.

“Ato janë njësi të pushtetit vendor, detyrimet për mbrojtjen e mjedisit i ka pushteti vendor, që u ka dhënë lejen subjekteve që bëjnë tregti atje”, deklaron Stefan Rrapi, drejtor i ARM-së.

Kreu i Inspektoriatit, Kiço Thimjo ka gjobitur të gjitha subjektet që kanë shkaktuar një ndotje të lartë në këtë zonë, por kjo nuk mjafton. Zoti Rrapo sqaron se duhet të ndërhyhet për rekuperimin e sistemit rrënjor të bimësisë.

“Janë konstatuar hedhje mbeturinash në gjithë luginën, që nga fabrika deri në daljen tek Uji i Ftohtë. Të gjitha mbetjet nuk i menaxhojnë mirë, duke i hedhur në ambjent. Është rritur edhe tharja e rrapit, që është sëmundje kancerogjene”, thotë ai.

Dikur një prej zonave më të frekuentuara në jug të vendit, sot Uji i Ftohtë i Tepelenës dominohet nga ndotja, drurët e dëmtuar dhe mbetjet e ndërtimeve të vjetra të kohës së socializmit.

Top Channel