
Pas debatit lidhur me heqjen e furgonëve nga transporti ndërqytetas, qeveria prezanton reformën që sipas saj synon modernizimin e këtij sektori.
Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto tha se kjo reformë do të stabilizojë linjat e urbanit që aktualisht janë 467, duke krijuar mbivendosje me njëra-tjetrën.
Po ashtu synohet ngritja e terminaleve, një sistem i ri biletimi për km dhe rinovim i autobusëve për një shërbim më cilësor për qytetarët.
“Do të kemi mbivendosje, linja kryesore dhe ushqyese. Aktualisht kemi problem të madh stacionet e autobusëve, prandaj dhe do të përdorim edhe asete të tjera publike si stacionet e trenave. Gjithashtu, do rinovojmë autobusët për shërbim më cilësor”, deklaroi Haxhinasto.
Ministri Haxhinasto tha se pjesë e reformës do të jenë të gjithë operatorët që ofrojnë këtë shërbim duke hedhur poshtë akuzat për favorizim të monopoleve.
“Kam dëgjuar spekulime në media për favorizim monopolesh. Nuk është e vërtetë, të gjithë operatorët duhet të riorganizohen për të marrë pjesë në ofrimin e shërbimit”, nënvizoi Haxhinasto.
Në prezantimin e reformës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve financiare, të cilët ofruan bashkëpunimin e tyre për rinovimin e mjeteve të transportit urban.
Top Channel