Gjykata e Apelit Administrativ në Tiranë, e cila shqyrton të gjitha çështjet në shkallë vendi, që vijnë nga Gjykatat e Shkallës së Parë Administrative, kërkon atashimin sa më shpejt të trupës gjyqësore me këshilltarë ligjore, ashtu sikurse parashikohet edhe në ligj.

Kancelari i kësaj gjykate, Leonard Strataj, thotë se gjykata është në një situatë të mbingarkuar, pasi i gjithë fluksi i çështjeve përballohet nga vetëm 7 gjyqtarë, ku secili prej tyre, prej shtatë muajsh, po shqyrton mesatarisht 90 dosje në javë, duke detyruar personelin dhe administratën të punojnë me orare të tejzgjatura, apo edhe gjatë ditëve të pushimit në fundjavë.

“Ne jemi në një situatë tepër të ngarkuar dhe duhet, sa më urgjentisht, që çdo gjyqtar të ketë këshilltarët e tij ligjorë, edhe administrata me sekretarinë gjyqësore, sepse aktualisht këtu punohet me 1 sekretare për 3 gjyqtarë. Vet administrata e Gjykatës së Apelit është tepër e ngarkuar. Aktualisht vijnë punojnë nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës dhe kjo është e papërballueshme, madje punohet edhe të shtunë e të diel. Me ligjin e Gjykatës Administrative është e nevojshme që çdo gjyqtar të ketë 1 apo 2 këshilltarë ligjorë”, tha Leonard Strataj, Kancelar i Gjykatës Administrative të Apelit.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila kërkoi shpalljen e moskompetencës nga çdo gjykatë për dosje administrative dhe dërgimin e tyre në Gjykatat Administrative, fluksi i çështjeve në këtë gjykatë doli tej çdo parashikimi. Deri më tani, në Apelin Administrativ janë regjistruar si të tilla pesë mijë dosje, ndërsa kapacitetet për ta përballuar situatën janë të vogla.

“Problemi është se këtu çështjet janë me afat një mujor dhe trupa gjyqësore po del nga ky afat i gjykimit të çështjes, po shkojnë te 3 apo 4 muaj. Aktualisht gjykata po gjykon çështjet e muajit Mars, duhet të ishin shqyrtuar atëherë, por po bëhen tani”, tha Leonard Strataj.

Deri më tani, Gjykata e Apelit Administrativ ka dhënë vendime për 2500 çështje, ndërkohë që nga 6 Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, nga i gjithë vendi, apelohen mesatarisht 300 dosje në javë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta