Rreth 500 punëtorë të firmës “Limak Age”, nënkontraktore për ndërtimin e Hidroncetralit në lumin Devoll, protestuan për kushtet e punës dhe nivelin e pagave. Punëtorët pretendojnë se punojnë me orare të zgjatura, deri në 12 orë, dhe nuk paguhen për orët shtesë, si dhe kanë ankesa për ditët e pushimit.

“I gjithë problemi i kësaj çështjeje janë pagat, sepse ne kemi rënë dakord për këtë pagë për 8 orë, jo për 11 orë, madje jo të punojmë edhe të dielave apo edhe netëve. Unë personalisht kam punuar të dielave, por jo natën, ndërkohë që shokëve të mi që punojnë edhe natën paguhen njësoj si të gjithë, duke mos iu njohur vështirësia e natës. Në punë ka pasur disa aksidente, të cilat janë shkaktuar prej mbingarkesës së punës”, tha një punonjës i firmës.

“Këta kanë hequr nga puna shoferë, duke justifikuar ata si fajtorë, por shoferët nuk kanë asnjë faj. Vetëm prej orareve të gjata kanë ndodhur aksidente, pasi neve na bëjnë presione për të na hequr nga puna, duke qenë realisht të pambrojtur”, tha një tjetër punonjës.

Ata kanë folur gjithashtu edhe për incidentet në punë dhe diskrikimin krahasuar me kolegët turq.

Në kantierin e ndërtimit mbërritën përfaqësues të Inspektoriatit Rajonal të Punës. Sipas tyre, nga inspektimet e mëparshme janë vërejtur shkelje.

“Subjekti Limak na ka vënë një pjesë të dokumentacionit në dispozicion. Nga ai që kemi parë, kemi vërejtur se diçka nuk shkon në lidhje me pagat e punonjësve. I kemi kërkuar subjektit Limak një informacion më të detajuar, për mënyrën e përllogaritjes së pagës, për punën e kryer në pushime javore, ditë festash, edhe mbi kohën normale të punës”, u shpreh Egliver Laloshi, nga Inspektoriati Rajonal i Punës.

Ka reaguar edhe zv/drejtori i kompanisë turke, i cili tha se po zhvillohen bisedime me punëtorët për të arritur një marrëveshje, por në asnjë rast ai nuk pranoi të ketë shkelur ligjin në trajtimin e tyre.

“Ka një protestë nga punonjësit në kantier. Ata na kanë përcjellë një listë me kërkesat e tyre dhe ne po e shqyrtojmë atë. Pas vlerësimeve do t’u japim një përgjigje, pasi duhet të njihemi me situatën. Të gjitha kushtet tona të punës janë brenda ligjeve shqiptare. Dhe, sipas Kodit të Punës, do t’u jepet përgjigja edhe punonjësve protestues. I kemi të gjitha kontratat e punonjësve dhe ata mund t’i tërheqin ato. Të gjithë janë të siguruar dhe gjithashtu, edhe lejet apo pagesat e tyre janë të dokumentuara. Nuk kemi shkelur ligjin, ndaj jemi të hapur ndaj çdo lloj inspektimi nga Inspektoriati i Punës”, tha Bulent Tatar, zv/drejtori i “Limak Age”.

Punonjësit thonë se nuk do t’i ndalin protestat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta