Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore.

Përmes një komunikate për media të lëshuar në mbrëmje, Jahjaga ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Duke komentuar parregullsitë eventuale, Jahjaga ka thënë se janë duke u shqyrtuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për t’u siguruar se vota e lirë e qytetarëve dhe vullneti i tyre politik është garantuar.

Jahjaga ka vlerësuar KQZ-në, Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit për përpjekjet dhe punën e tyre për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.

Presidentja kosovare vlerëson përkushtimin dhe angazhimin e subjekteve politike, si dhe të të gjithë kandidatëve që kanë kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Jahjaga vlerëson angazhimin e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtar, përfshirë Misionin Vëzhgues të BE-së, që ka vëzhguar me kujdes gjithë procesin, duke i dhënë edhe legjitimitet ndërkombëtar zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend.

Top Channel