Kombet e Bashkuara janë të interesuara që fati i personave të zhdukur në Kosovë të zbardhet. Edmond Mulet, drejtues i departamentit për operacione paqësore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka vizituar vendin ku ndodhet varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në të cilën janë varrosur shqiptarët nga Kosova.

“Është një vend i trishtë. Është një skenë krimi. Por, puna këtu do të vazhdoj dhe ne mbështesim cdo punë të përbashkët, me bashkëpunim të thellë. Është me rëndësi që familjet e viktimave të gjejnë më të dashurit e tyre dhe inkurajojmë punën këtu të jetë transparente, gjithnjë duke menduar për viktimat dhe familjet”, deklaron Mulet, Departamenti i Operacioneve paqësore OKB.

Varreza masive është hapur në kërkim të të paktën 250 deri në 400 personave. Lokacionet tjera janë duke filluar me përgatitjen e terrenit. Forcat serbe kanë varrosur shqiptarët në Serbi për të fshehur gjurmë në një kënetë e cila më vonë u bë gurthyes dhe mbi të u ndërtuan objekte.
 
Zyrtarët serbë premtuan se do të punojnë deri në fund për zbardhjen e cdo pjese në këtë lokacion.

“Kemi gjetur 37 mbetje mortore në këto lokacione. Do të vazhdojmë me punën tërë qershorin dhe në lokacionet tjera do të punojmë edhe më gjatë. Do të punojmë bashkë me përfaqësuesit e EULEX-it, delegacionin nga Prishtina, Kryqin e Kuq, komitetin ndërkombëtar për të zhdukurit dhe të gjitha palët tjera”, shprehet  Veljko Odallovic, Komisioni për të Zhdukurit, Qeveria e Serbisë.

Për një pjesë të viktimave tashmë dihet se prej nga janë dhe në cilën zonë të Kosovës janë marrë nga forcat serbe.

Top Channel