Pas tragjedisë në termocentralin e Obiliqit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur menjëherë furnizimin me energji elektrike të Kosovës.

Burime nga KESH thanë për Top Channel se autoritetet kosovare kanë kërkuar ndihmën e Shqipërisë për të përballuar situatën emergjente të krijuar nga shpërthimi tragjik në hidrocentral.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar 200 mega energji në bandë nga Shqipëria, ose gati 9 milionë kilovat orë në ditë, për tre ditët e ardhshme deri në stabilizimin e situatës.

Por KESH ka patur të lirë vetëm linjën Fierzë-Dragash, përmes të cilës ka nisur furnizimin e menjëhershëm për 50 mega në bandë ose 1.2 milionë kilovat në ditë.

Ndërkohë, burime nga Korporata bëjnë të ditur se po punohet me OST-në për të parë mundësinë e kapaciteteve të tjera të lira për të rritur sasinë e furnizuar.

Shpërthimi në termocentralin Kosova A ndodhi në orët e paradites së të premtes, në repartin e elektrolizës së TEC-it. Sipas të dhënave paraprake, nga tragjedia kanë gjetur vdekjen 4 persona ndërkohë që janë plagosur dhe 13 të tjerë.

Top Channel