Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Një ditë pasi autoritetet në Malin e Zi sekuestruan 250 kg kokainë, që vinte nga Ekuadori, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se droga nuk kishte si destinacion Shqipërinë.
“Nuk është e vërtetë që droga e sekuestruar në Mal të Zi kishte destinacion përfundimtar Shqipërinë, të paktën nga hetimet tona paraprake dhe nga bashkëpunimi me policinë malazeze. Ne po hetojmë për të parë se si është zhvilluar i gjithë procesi, megjithatë deri tani nuk ka të dhëna nga investigimet tona dhe ato të partnerëve, të cilat të tregojnë se ishte e destinuar për këtu ajo sasi kokaine”, tha ministri i Brendshëm, Tahiri.
Gjithashtu, ministri Tahiri, i pyetur nga gazetarët edhe për Lazaratin, tha se kjo çështje dhe, në përgjithësi kultivimi i kanabisit në të gjithë territorin e vendit, mbetet një prioritet për Policinë e Shtetit.
“Ka filluar zbatimi i programit dhe planit strategjik në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Rezultatet e para kanë filluar të vijnë në disa zona të Shqipërisë, me asgjesimin e lëndëve narkotike që kanë filluar të mbillen. Ne jemi shumë të vendosur të mos lejojmë përsëritjen e së njëjtës situatë si vitin e kaluar. Rezultatet e duhura nuk vijnë brenda natës, por të jeni shumë të bindur se Shqipëria nuk do të gdhihet i njëjti vend siç u gdhi pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, i mbushur me parcela të mbjella me kanabis”, shtoi më tej Saimir Tahiri.
I shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ministri Tahiri i dha këto deklarata në Korçë, gjatë nisjes së fushatës sensibilizuese kundër dhunës në familje, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënës të shkollave të mesme.
***
Magazina e kompanisë “Rrapo”, në fshatin Mbrostar të fierit, në anë të
rrugës Fier-Lushnje ishte destinacioni i konteinerëve me banane që vinin
nga Ekuadori dhe që u ndaluan në Mal të Zi, për shkak të zbulimit aty
të një sasie të madhe kokaine, rreth 250 kilogramë.
Firma “Rrapo” është liçencuar për import eksport të frutave dhe perimeve dhe e ka filluar aktivitetin në janar të këtij viti.
Pas bllokimit të drogës së fortë në portin malazez të Tivarit, pronari i kësaj firme, Dritan Rrapaj është marrë në pyetje nga hetuesit e policisë shqiptare dhe ka thënë se kishte kryer vetëm porosinë për banane dhe nuk ishte në dijeni të veprimtarisë që kryente firma e transportit.
Ndërkohë, burime të policisë shqiptare thonë zyrtarisht se destinacioni i drogës dyshohet se ishte Franca ose Italia.
Hetuesit dyshojnë se trafikantët kishin parashikuar që pasi të linin mallin në Shqipëri, konteinerët e boshatisur t’i kthenin në destinacion, duke tentuar të humbnin gjurmët. Aty do të çanin pjesën metalike dhe shkarkonin kokainën.
Më datë 3 qershor, tre konteinerët me banane mbërritën në Mal të Zi. Dy prej tyre u lejuan të udhëtonin drejt Shqipërisë, për njërin patën dyshime dhe e skanuan dhe nga kontrolli u zbulua edhe droga.
Sipas policisë, ka dyshime të forta se trafikantët kanë tentuar të përdorin si denstinacion për ngarkesën Shqipërinë, një vend pa treg për të dërguar 250 kg kokaninë.
Por në fakt, dyshohet se droga është vendosur në konteiner falë një ndërhyrjeje në pjesët e brendshme, përpara se të ngarkoheshin arkat me banane.
Pronari i firmës i ka thënë policisë se ai kishte porositur tre konteinerë me banane dhe kjo ishte hera e shtatë që bënte porosi për një mall të tillë.
Pas bllokimit të drogës në Tivar është angazhuar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në një hetim, por nuk ka asnjë informacion. Ndërkohë që nuk janë bërë publike informacione mbi itinerarin e anijes, apo edhe aktivitetin e mëparshëm tregtar të kompanisë.
Top Channel