Në ditën e tragjedisë, në termocentralin “Kosova A”, liderët e partive politike kanë anuluar të gjitha aktivitetet përmbyllëse të fushatës.
Ndërkohë, gjatë ditës është spekuluar për mundësinë, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtyjë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të tragjedisë së ndodhur.
“Nuk kam kërkuar në asnjë rast shtyrjen e zgjedhjeve, por kam pyetur kur isha te QKUK se çfarë do të bënim në qoftë se do të ishte situata e tillë, për të shtyrë zgjedhjet. Por, kam thënë se së pari duhet të vlerësohet situata, dhe mendojmë se nuk është një situatë për shtyrjen e zgjedhjeve, pasi nuk ka më rrezik për shpërndarjen e saj. Situata është nën kontrollin e plotë, prandaj zgjedhjet mbahen ashtu siç janë planifikuar”, deklaroi Isa Mustafa, lider i LDK.
Burime pranë qeverisë thanë për Top Channel, se fushata u anulua për solidaritet dhe se zgjedhjet do të mbahen të dielën.
Por, partitë politike kanë mohuar të kenë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se askush nuk ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.
Një ditë para heshtjes zgjedhore, Daka dhe anëtarët e KQZ-së kanë takuar presidenten Atifete Jahjaga, të cilës i kanë konfirmuar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që zgjedhjet e 8 Qershorit të zhvillohen normalisht.
Ndërkohë, gjatë gjithë ditës, krerët e subjekteve politike kanë qëndruar në vendin e ngjarjes, në Obiliq, për të inkurajuar pjesëtarët e FSK-së, zjarrfikësit dhe policinë, të cilët kërkonin trupat e pajetë, që kishin mbetur në gërmadha pas shpërthimit.
Liderët e partive kanë vizituar vendin e ngjarjes dhe të plagosurit, që po trajtohen në QKUK.
***
“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se ky është momenti, kur të gjithë duhet të jemi së bashku, pranë punëtorëve të KEK-ut dhe familjarëve të tyre. Të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse, tashmë janë në krye të detyrës, të angazhuara për ta përballur situatën dhe për të shpëtuar çdo jetë të punëtorëve”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Pas incidentit, Lëvizja Vetëvendosje ngushëlloi familjet e punëtorëve, që humbën jetën tragjikisht në vendin e tyre të punës, e kërkoi të hetohen urgjentisht shkaktarët e këtij shpërthimi, e të përcaktohet përgjegjësia.
Edhe lideri i Aleancës Kosova e Re i pezullon akivitetet në terren, ndërsa kreu i AAK-së Ramush Haradinaj u nis menjëherë drejt Obliqit.
Presidentja Atifete Jahjaga ka vizituar të lënduarit në spitalin e Prishtinës. Pasi shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, presidentja kërkoi hetimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë në mënyrë që ato të shmangen në të ardhmen.
Top Channel