
Të gjithë forcat e rendit të qytetit kanadez të Moncton-it, New Brunswick, janë mobilizuar për gjetjen e personit, që vrau tre efektivë policie e plagosi dy të tjerë.
Policia e identifikoi agresorin si Justin Bourque, 24 vjeç, e ka publikuar edhe një fotografi të të dyshuarit të armatosur. Banorët janë këshilluar të mos dalin nga shtëpitë e të mbyllin mirë dyert.
“Jemi në kërkim të agresorit, që besohet të jetë ende në zonën Pinehurst të Moncton-it. Njerëzve në atë zonë i bëjmë thirrje të qëndrojnë brenda dhe ata, që nuk kanë lidhje me rajonin në fjalë, të mos shkojnë atje, në mënyrë që të na lejojnë të bëjmë punën tonë e ta lokalizojmë këtë individ, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Damien Theriault, shef i policisë.
Tre policët u qëlluan për vdekje, pasi iu përgjigjën raporteve për një person të armatosur që mbante veshje kamuflazhi. Rrugët hyrëse në Moncton janë bllokuar të gjitha nga forcat e sigurisë, ndërsa në zonën ku mendohet se mund të jetë vrasësi janë mbyllur edhe supermarkete e dyqane.
Ministri kanadez i Sigurisë Publike, Steven Blaney, u shpreh “thellësisht i tronditur nga tragjedia”, siç e përshkroi ai. Episode të tilla dhune janë të rralla në Kanada, e sidomos në bregun e saj lindor.
Më i fundit prej tyre, ai i 2005-s, kur katër efektivë u qëlluan për vdekje në provincën perëndimore të Albertës, ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj forcave policore kanadeze në 120 vjet.
Top Channel