Hollande “i copëtuar” mes dyshes Obama-Putin

05/06/2014 00:00

I kritikuar në vendin e tij për mungesën e iniciativave mbi Ukrainën, presidenti francez Francois Hollande, do të organizojë dy darka të ndara gjatë së enjtes me liderët e SHBA-ve dhe Rusisë, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin më të rëndë të sigurisë së Europës, që prej Luftës së Ftohtë.

Synimi i tij është zhvillimi i një takimi të parë “për thyerjen e akujve” mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit të zgjedhur ukrainas, Petro Poroshenko, në tokën franceze, bëjnë të ditur diplomatë, pavarësisht luftimeve të vazhdueshme në Ukrainën Lindore mes forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Zyrtarë francezë kanë punuar gjatë për të ruajtur distancat mes presidentit amerikan Barack Obama dhe atë rus, Vladimir Putin, gjatë kohës që gjenden në Paris, kjo me kërkesë të Uashingtonit, deri përpara ceremonive përkujtimore të 70-vjetorit të “D-Day”, apo zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ditën e premte, kur dhe 18 liderë botërorë do të zbresin në plazhet e Normandisë.

Kryeqyteti francez është mbërthyer nga masa të forta sigurie që prej pasdites, së të mërkurës, kur Obama dhe Putin mbërritën në Francë, ndërkohë Mbretëresha Elizabet e Britanisë do të mbërrijë me tren nga Londra, për të nisur vizitën e saj shtetërore 3-ditore, e pesta që prej marrjes së fronit në vitin 1953.

“Ky është një rast i rëndësishëm për të shprehur mirënjohjen dhe vëllazërinë, por është gjithashtu një ngjarje ndërkombëtare, që duhet të shërbejë në interesin e paqes”, tha Hollande në një konferencë për shtyp pas samitit të liderëve të G7-s në Bruksel, një takim ku Putin nuk ishte i ftuar.

I pytur nëse një takim Putin-Poroshenko ishte i mundshëm të mbahej në Francë, Hollande u shpreh: “Po, kam ftuar Poroshenkon, kështu që ai do të jetë këtu, sepse përfaqëson popullin ukrainas që ka vuajtur shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai do të jetë në krah të presidentit Putin dhe ky i fundit është informuar për këtë”.

Putin ka thënë në intervistat për mediat franceze, gjatë së mërkurës, se ishte i gatshëm të takohej si me Poroshenkon, edhe me Obama-n në Francë. Ndërkohë, lideri i SHBA-ve nuk e ka deklaruar gatishmërinë për të shfrytëzuar këtë takim, pasi të enjten do të takohen ministrat e Jashtëm të të dy vendeve.

Duke ditur ndjeshmërinë e këtyre zhvillimeve, Hollande do të nxitojë nga takimi me Mbretëreshën në pallatin “Elysee” drejt një restoranti shik, me pamje nga rruga e “Champs-Elysees”, për darkën me Obama-n, përpara se të shkojë sërish në rezidencën e tij për të darkuar më vonë me Putin.

Top Channel