
Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës, të mbledhur në Bruksel, janë të përgatitur, siç pohuan dhe vetë, për të vendosur të tjera sanksione ndaj Rusisë, si pasojë e veprimeve të saj në Ukrainë.
Një deklaratë e përbashkët e tyre e dënon Moskën për shkeljen e përsëritur të sovranitetit të vendit fqinj.
“Jemi të bashkuar në dënimin e Federatës Ruse për shkeljen e vazhdueshme të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Jemi të gatshëm të intensifikojmë sanksionet e të marrim në konsideratë masa shtrënguese shtesë, për të shtuar presionin mbi Rusinë, nëse rrjedha e ngjarjeve do ta diktojë një gjë të tillë”.
Ky është i pari samit i G7-s, që prej përjashtimit të Rusisë nga grupi, pas aneksimit të Krimesë në muajin Mars.
Vladimir Putin nuk është në Bruksel, por pritet të ketë takime kokë më kokë pas samitit në Paris, me disa prej udhëheqësve të G7-s, ku nuk përfshihet presidenti amerikan Barack Obama.
Dy liderët, megjithatë, do të marrin pjesë të premten në ceremonitë kremtuese të 70-vjetorit të zbarkimit në Normandi.
Gjatë vizitës së tij në Poloni, të mërkurën, Obama paralajmëroi Moskën të frenohet nga ato që i quajti “taktika të errta” në Ukrainë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u takua edhe me presidentin e zgjedhur ukrainas, Petro Poroshenko, përpara të cilit u zotua të mbështesë planet e rivendosjes së paqes dhe qetësisë në vend.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, nga ana tjetër, i tha gazetarëve se Perëndimi nuk mund ta lejojë një destabilizim të mëtejshëm të situatës në Ukrainë. Edhe kryeministri britanik, David Cameron, u shpreh më herët se pret që G7-a të dërgojë një mesazh të fortë e të qartë në mbështetje të Kievit.
Samiti, fillimisht ishte caktuar të mbahej në qytetin rus të Socchi-t.
Top Channel