“D-Day”, zbarkimi i madh i Normandisë

05/06/2014 00:00

Veteranët e “ditës D” janë kthyer në “fushën e vdekjes”, në Normandi, ku shumë prej shokëve të tyre humbën jetën 7 dekada më parë.

Në ceremonitë e mëdha kremtuese të së premtes do të marrin pjesë një sërë liderësh botërorë, ndërsa Mbretëresha Elizabet dhe Duka i Edinburgut do ta shënojnë 70-vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Francë me një vizitë shtetërore në këtë vend, e cila nis më vonë në Paris.

“D-Day”, dita e sulmit më të madh nga deti në të gjithë historinë ushtarake, do të mbledhë me qindra veteranë të luftës, më të rinjtë e të cilëve – sipas BBC, – janë tek të 80-at.

Për disa prej ish-ushtarëve, ky me shumë gjasë do të jetë përvjetori i fundit i rëndësishëm që dëshmojnë.

“Normandia ishte një fushë vdekjeje. Shpresoj të mos i harrojnë njerëzit që vdiqën këtu”, tha Harry Billinge, veteran i Luftës së Dytë Botërore.

Rreth 160,000 trupa aleate përshkuan La Manshin në nisjen e mësymjes, 6 Qershorin e vitit 1944, duke hapur kështu rrugën për mposhtjen e Gjermanisë naziste.

“Dita D”, apo dita më e guximshme e Perëndimit, shënon praktikisht fillimin e fundit të pushtimit të Europës.

Nën drejtimin e Gjeneralit Einsenhover dhe nën mbrojtjen e forcave ajrore, trupat kryesisht amerikane, britanike e kanadeze u nisën nga Portsmuthi e kaluan ngushticën e Anglisë, duke thyer vijën e mbrojtjes së trupave gjermane, apo “barrierën e Atlantikut”.

Pas sulmit, forcat aleate vazhduan avancimin në brendësi të Europës dhe, gjatë muajve në vazhdim, çliruan me radhë Francën e Belgjikën, e hynë në territorin gjerman.

Hapja me sukses e frontit të dytë të betejës europiane nga trupat e aleancës shpejtoi humbjen e Gjermanisë naziste.

Beteja e Normandisë quhet edhe beteja hegjemonike, për shkak se përmasat e mëdha dhe ashpërsia e luftimeve e bëjnë atë të rrallë në historinë e luftërave njerëzore.

Top Channel