Britani, nxënësit në rrezik nga ekstremizmi

05/06/2014 00:00

Nxënësit në qytetin e Birmingamit, në Britani, nuk janë të mbrojtur nga ideologjitë ekstremiste, ka paralajmëruar të enjten një grup që ka hartuar një raport të posaçëm.

Raporti hetimor, i quajtur “Kali i Trojës”, është hartuar në bazë të një hetimi të grupit Ofsted në shkollën Golden Hillock në Sparkhill, e cila cilësohet si një institut shkollor i papërshtatshëm dhe që ka nevojë për masa të menjëhershme.

Ofsted filloi inspektimet pas deklaratave se myslimanë të linjës së ashpër po përpiqeshin të shtrinin influencën e tyre dhe të mënjanonin mësuesit.

Në një reagim të sajin, shkolla deklaroi se e kundërshton fuqishëm vlefshmërinë e hetimit të bërë nga grupi. Hetimi në fjalë ka hapur debate të ashpra edhe në radhët e qeverisë britanike, mes ministrave të cilët kanë debatuar se si të menaxhojnë ekstremizmin në shkolla.

“Shumë pak është bërë për të ruajtur studentët nga rreziqet e lidhura me pikëpamjet ekstremiste”, thotë raporti, i cili është vetëm një nga 21 raporte në seri që pritet të publikohen.

Inspektorët e Ofsted arritën në përfundimin se autoritetet vendore nuk po bëjnë sa duhet për të lehtësuar rrezikun ndaj izolimit kulturor.

“Dhe kjo mund t’i bëjë studentët të cënueshëm ndaj rrezikut të margjinalizimit nga shoqëria britanike dhe të ndërmarrin rreziqe që mund të përfshijnë radikalizimin”, thuhet në raport.

Dokumenti vë gjithashtu në dukje se, edhe edukimi i marrëdhënieve seksuale nuk bëhej në bazë të një kurrikule të planifikuar me kujdes.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta