BQE, gati të ulë normën e interesit

05/06/2014 00:00

Pritshmëritë janë të larta, se Banka Qendrore Europiane do t’i zbusë politikat e veta monetare gjatë takimit të sotëm, ku shumë mendojnë se do të njoftohet një ulje e normës së interesit.

Të tjerë thonë se BQE-ja mund të shkojë edhe më larg se kaq, në përpjekjet e saj për të nxitur huadhënien e bankave.

Treguesit e fundit ekonomik flasin për një ndrydhje të rimëkëmbjes së Eurozonës. Në muajin Maj, inflacioni ra në 0,5%, shumë nën nivelin e synuar prej Bankës Qendrore Europiane të 2 përqindëshit.

Kaliforni, avioni ushtarak bie mbi zonën e banuar

Një avion ushtarak amerikan është rrëzuar mbi një zonë rezidenciale, 144 km në Lindje të San Diegos, në Kaliforni.

Pamjet filmike tregojnë të paktën një banesë të përfshirë nga flakët, në qytetin Imperial.

Piloti arriti të lëshohej me parashutë përpara përplasjes dhe është dërguar në spital me lëndime të lehta në trup.

Në tokë nuk pati asnjë të plagosur. Zyrtarët vendas kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Kina, ankesë zyrtare SHBA-ve për “Tienanmenin”

Kina paraqiti një ankesë zyrtare ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi Shtëpia e Bardhë i kërkoi të japë sqarime mbi të vrarët, të zhdukurit apo të ndaluarit, gjatë masakrës së 4 Qershorit 1989, në sheshin Tienanmen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei, shprehu pakënaqësinë e thellë ndaj këtij pretendimi, që shënon – sipas tij, – një shpërfillje totale të fakteve.

25-vjetori i shtypjes së përgjakshme të protestave më të mëdha kundër regjimit komunist në Kinë u kujtua nga dhjetra mijëra tubues në Hong Kong, por në pjesën kontinentale të vendit, përmendja e kësaj ngjarjeje është e ndaluar.

Top Channel