Pistoletë në burgun e Koridhalos në Greqi, gjendet në sektorin ku mbahen shqiptarë e turq Komisioni Europian i rekomandon sërish dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, Komisioneri Fyle deklaroi se vendet anëtare të BE-së deshën më shumë kohe dhe më shumë progres nga Shqiperia, dhe ju ua dhatë të dyja.
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle: Dëshiroj ta bëj absolutisht të qartë që raporti i Komisionit, pa asnjë dyshim dhe rezervë rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë”.
Ka dalë jashtë protokollit Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle kur deklaratën e bëri përpara fillimit të bisedimeve në tryezën e tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.
Kryeministri Edi Rama: Është një rekomandim i pastër, pa asnjë presje, “pas/pos”.
Rekomandimi u bë, sqaroi Komisioneri Fyle, mbi rezultatet e qeverisë, në reformat e realizuara. Përkundër nga sa opozita ka ngritur si çështje, ate të përkeqësimit të situatës së trafikut dhe korrupsionit, Komisioneri edhe në deklarimin mediatik i veçoi disa herë këto çështje, si sektorë që kanë shënuar progres.
Komisioneri Fyle: Rekomandimi u bë mbi bazen e vullnetit të vazhdueshëm të qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe angazhimin e qeverisë për reformën në drejtësi. Shoh këtu një argument të fortë për një vendim pozitiv nga vendet anëtare.
Ndërsa raporti nënvizon progres në fushat prioritare, ajo që duket se nuk ka ndryshuar është apeli për konsensus politik mes palëve.
Komisioneri Fyle: Gjithëpërfshirja nuk është e rëndësishme vetem se në Bruksel shihet si një fjalë e bukur, gjithëpërfshirja është e rëndësishme në rast se ju doni që procesi i reformave të jetë i qëndrueshëm pas çdo procesi zgjedhor. Ju duhet seriozisht të filloni të kuptoni se çdo të thotë gjithëpërfshirje dhe ky mesazh është për qeverinë dhe opozitën.
Kryeministri Rama: Nuk është e lehtë të kërcesh as vallen e shpatave me një tjetër kur tjetri nuk do, le më pastaj të kërcesh Shtrausin kur tjetri s’do. Kjo nuk është as valle shpatash, është një kërcim shumë i sofistikuar për të shkuar bashkë në Bashkimin Europian. Megjithatë ne do të bëjmë çmos për t’i ofruar opozitës gjithcka mundemi që të përfshihet në vallëzim. Jemi absolutisht të vendosur që cdo reformë, cdo ligj, cdo hap ta diskutojmë me opozitën. Ne do të bëjmë çmos që opozita të jetë pjesë, por ne do të udhëheqim!
Opozita gjithashtu deklaroi bashkëpunim me qeverinë, por me kushte.
“Vendimi i merituar i marrjes së statusit të vendit kandidat në qershor, është një vendim që i duhet Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, që e kanë merituar me kohë. Le të urojmë që ky qershor ta konfirmojë këtë vendim pozitiv dhe të mos ngelet me kaq, por hapat e mëtejshëm të procesit për aq sa janë, me shumë sfida, duhet të kthejnë vëmendjen tek respektimi i ligjit në Shqipëri, i Kushtetutës, i institucuioneve të pavarura, gjëra dhe reforma për të cilat opozita do të jetë gjithmonë në krah të mazhorancës nëse ky proces do të jetë gjithëpërfshirës, transparent, larg agresivitetit dhe duke e konsideruar integrimin si axhendën kombëtare tonën dhe të të gjithë shqiptarëve”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu.
Pas rekomandimit të Komisionit Europian, fjalën e fundit për statusin kandidat të Shqipërisë e kanë vendet anëtare të BE-së.
Top Channel