“Ferri” në grupin D

04/06/2014 00:00

Grupi D, në të cilin bëjnë pjesë Italia, Anglia, Uruguai dhe Kosta Rika është një grup ku 3 nga 4 skuadra kanë mbrojtjen si pikën më të fortë.

Është një grup, ku të gjitha skuadrat nuk kanë pësuar asnjë humbje gjatë kualifikimeve për në botëror, është një grup ku shanset janë pothuajse të barabarta.

Duke qenë se skuadrat luajnë më shumë në mbrojtje, nuk do të jetë surprizë që të ketë shumë barazime dhe që të gjitha ekipet të përfundojnë fazën e grupeve me nga 4 pikë, ashtu siç ndodhi në Amerikë 1994.

Për shkak të disa dëmtimeve gjatë ditëve të fundit, trajneri i Italisë është detyruar të marrë në Brazil lojtarë të tjerë. Është grumbulluar me përfaqësuesen Lorenzo Insigne, i cili bashkë me Ballotelin, Cassanon, Immobilen dhe Cercin do të jetë një nga 5 sulmuesit e Italisë në këtë botëror.

Trajneri i Anglisë, Roy Hodgson është më i sigurt se kurrë se grupi i lojtarëve që ai ka në dispozicion i ka të gjitha mundësitë për të shkuar në finale.

Sipas analistëve kombinimi që ai ka bërë mes lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë në arenën ndërkombëtare mund të jetë vdekjeprurës për çdo skuadër.

Për sa i përket Uruguait sigurisht që e gjithë shpresa e tifozëve do të jetë te reparti i sulmit që përbëhet nga Cavani, Suarez dhe Forlan. Edhe pse operoi meniskun në 22 maj, trajneri i kombëtares, Tabarez e ka grumbulluar sulmuesin e Liverpolit i cili po rikuperohet në një kohë rekord.

Ndërsa për Kosta Rikën lajmi i keq për këtë skuadër të Amerikës qendrore është dëmtimi i liderit të saj Alvaro Saborio, cili u dëmtua në stërvitje dhe që do të jetë jashtë fushave për rreth 3 muaj.  

Top Channel