
Sllovakia i është bashkuar fqinjëve të Republikës Çeke gjatë së mërkurës, duke përjashtuar efektivisht pritjen e njësive ushtarake të NATO-s, teksa kryeministri Robert Fico është shprehur se nuk mund ta imagjinojë praninë e ushtarëve të huaj në territorin e tij.
Fico foli një ditë pasi presidenti amerikan Barack Obama premtoi shtimin e mbështetjes ushtarake për anëtarët nga Europa Lindore të aleancës së NATO-s, të cilët i frikësohen të qenit në radhën e parë për t’u përballur me agresione, pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se do të rishikojë dërgimet e trupave të përhershëm në Europë, pas krizës së shpërthyer në Ukrainë, duke u angazhuar për shtimin e trupave në terren, gjë që Polonia dhe disa prej fqinjëve të saj – përjashtuar Çekinë dhe Sllovakinë, – kanë kërkuar prej fillimit të tensioneve ruso-ukrainase.
Sllovakia, një anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian që prej vitit 2004, ka ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Rusinë, pavarësisht krizës nën drejtimin e Fico-s, partia “Smer” e të cilit ka mazhorancën absolute në Parlament.
“Nuk mund ta imagjinoj praninë e ushtarëve të huaj në territorin tonë, në formën e ngritjes së disa bazave”, tha Fico në një konferencë për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, kur u pyet mbi planin e Obama-s.
Fico tha se Sllovakia synon të përmbushë angazhimet e saj ndaj NATO-s, pavarësisht kufizimeve të buxhetit, dhe se është i gatshëm që bazat stërvitore ushtarake të tyre të përdoren për stërvitje nga trupat e huaja, siç është bërë në të kaluarën.
Duke shpjeguar se përse sllovakët ishin kaq të ndjeshëm ndaj trupave të huaj, Fico citoi invazionin e Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe pasojat e prezencës prej dy dekadash të sovjetikëve në vendin që më pas u shpërbë mes Republikës Çeke dhe Sllovakisë në 1993.
“Sllovakia ka eksperiencat e saj historike me pjesëmarrjen e trupave të huaj. Mjafton të kujtojmë invazionin e 1968-s. Ndaj, kjo çështje është shumë sensitive për ne”, tha ai.
Ministri çek i Mbrojtjes, Martin Stropnicky, shkaktoi një “stuhi” politike në Çeki gjatë muajit të kaluar, kur përmendi të njëjtin shembull për të shpjeguar në intervistën e dhënë për Reuters, se përse vendi i tij ishte i shqetësuar ndaj prezencës së trupave të huaj në territorin e tyre.
Parlamenti çek miratoi një rezolutë pas komenteve të Stropnicky-t, duke synuar garantimin e aleatëve se Çekia ishte e gatshme të përmbushte të gjitha angazhimet e premtuara ndaj NATO-s.
Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, tha gjatë së martës, në përgjigje të deklaratave të Obama-s, se Republika Çeke nuk ka kërkuar shtim të prezencës së trupave të huaja, apo vendosjen e tyre në territorin çek, si dhe se nuk ka kërkuar shtim të prezencës së NATO-s në Europë.
Top Channel