Kryeministri Edi Rama ka takuar në ambientet e Kryeministrisë komisionerin për Zgjerimin në BE, Stefan Fule.

Me anë të një postimi në Twitter, zoti Rama bëri të ditur se “në 10.00 nis Dialogu i Nivelit të Lartë e paralelisht bëhet publik online Raporti i Progresit”.

Ndërsa në orën 12:00 pritet që komisioneri Fyle dhe kryeministri Rama të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në një intervistë për Top Channel të martën, zëdhënësi i PE-së, Peter Stano tha se “shpresojmë në më të mirën për Shqipërinë”.

Peter Stano, zëdhënës i KE
: Komisioneri viziton Tiranën të mërkurën, në kuadër të vizitave të tij të rregullta, kësaj radhe për takimin e dialogut të nivelit të lartë. Nëse iu kujtohet, gjatë raundit të dytë të këtij dialogu, në Mars, ai u shpreh se do të vinte në kohë për raundin e 3-të, i cili mbahet të mërkurën. Besoj se idea është më se e qartë tashmë, se dialogu i nivelit të lartë u zhvillua nga Komisioni për të ndihmuar Shqipërinë, që të trajtonte sfidat për anëtarësimin në BE, dhe për të nxitur shanset e vendit për t’ia dalë me sukses. Siç e dini, ky muaj është vendimtar, për shkak të vendimit të pritshëm nga vendet anëtare mbi Shqipërinë, ndaj ne po shpresojmë për më të mirën e vendit dhe po bëjmë çfarë mundemi, përfshirë edhe këtë dialog, për t’u siguruar se Shqipëria do të dorëzojë, mbi detyrat e saj, dhe pritshmëritë.

TCH: Ky dialog i nivelit të lartë merret me ato prioritete, që nevojiten për çeljen e negociatave me BE-në, ndërkohë që për statusin kandidat, Komisioni e ka përgatitur raportin e vlerësimit, siç kërkuan vendet anëtare. A do e paraqesë këtë Komisioneri ndaj autoriteteve shqiptare në Tiranë?

Peter Stano: Para së gjithash, raporti i Komisionit, që tani ndodhet në proçedurën për t’u miratuar, është përgatitur për vendet anëtare, sepse ata, në Dhjetor, u shprehën se mbajtën shënim mbi rekomandimin tonë për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, por do vendosnin mbi këtë, sapo Komisioni të përgatiste një raport mbi luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe reformës në gjyqësor. Siç e thashë, ne e përgatitëm këtë raport, i cili është nën proçedurën e miratimit, e duhet të miratohet shumë shpejt. Ai raport është për vendet anëtare, që të marrin vendimin më vonë, gjatë këtij muaji, nëse vendi merr statusin kandidat apo jo dhe, pasi ai të jetë miratuar, pasi të jenë pranuar gjetjet dhe raporti të publikohet, sigurisht që partnerët shqiptarë do të informohen mbi të.

TCH: Meqenëse Komisioneri do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile, a parashikohen takime edhe me palë të tjera të interesuara, që kanë shfaqur pakënaqësi deri tani ndaj qeverisjes së shumicës së majtë?

Peter Stano: Synimi ynë për dialogun e nivelit të lartë është, që të kemi një dialog në mënyrë gjithëpërfshirëse, çfarë do të thotë me të gjitha palët e interesuara. Për këtë arsye, dialogu i nivelit të lartë me qeverinë bëhet edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të opozitës. Nga ana tjetër, Komisioneri sigurohet që, gjithmonë të takojë përfaqësues të shoqërisë civile, në mënyrë që ai të ketë edhe reagimin e aktorëve jo-shtetërorë e jo-partiakë. Plani për këtë vizitë të shkurtër parashikon që ai të takohet me përfaqësues të qeverisë, opozitës, kreun e Parlamentit dhe shoqerisë civile. Vizita zgjat pak orë, e në fokus është raundi i radhës për dialogun e nivelit të lartë. Por, ky nuk është i vetmi dialog që udhëheq BE. Ka disa forma dialogu të niveleve të ndryshme dhe, sigurisht, ne sigurohemi që çdokush të jetë i përfaqësuar në to dhe i përfshirë në njëfarë mënyre.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel