Palestinezët duan qeveri të re

02/06/2014 00:00

Izraeli dënoi planet palestineze për të krijuar një qeveri të re dhe i lëshoi liderëve botërore një apel, që të mos nxitohen në njohjen e saj.

Për kryeministrin Benjamin Netanyahu, kabinetit i unitetit, që merr formë sot, nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të forcojë terrorin.

Ekzekutivi i ri përfshin Autoritetin Palestinez me prirje laike, i cili kontrollon pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor, dhe grupin ekstremist islamik Hamas, me pushtet mbi Rripin e Gazës.

“I bëj thirrje elementëve përgjegjës në komunitetin ndërkombëtar, të mos nxitohen për të njohur një qeveri palestineze, që përfshin Hamasin në radhët e saj, apo që mbështetet tek ai. Hamasi është një organizatë terroriste, e cila kërkon shkatërrimin e Izraelit dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet ta përkrahë. Një lëvizje e tillë nuk do t’i shërbente paqes, por do të forconte terrorin”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas vendosi t’i japë fund armiqësisë me Hamasin, pasi bisedimet e paqes me shtetin hebre mbetën në vendnumëro një muaj më parë.

Organizata islamike është kundër negociatave dhe nuk njeh të drejtën e Izraelit për ekzistencë. Megjithatë, Abbas pretendon se politikat e tij për paqe mbeten pozita zyrtare e qeverisë.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erakat ndan bindjen se ekziston një mundësi e vyer për ta sjellë Hamasin në procesin e paqes. “Ne mund të kemi një autoritet të vetëm, një sistem ligjor, një qeveri dhe një program për ekzistencën e dy shteteve dhe njohjen e Izraelit, duke hequr dorë nga dhuna”, është shprehur ai.

Vet Abbas sqaroi se ekzekutivi izraelit e ka informuar për bojkotimin e qeverisë së re palestineze, ndërsa Uashingtoni, që ashtu si shteti hebre e konsideron Hamasin grupim terrorist, po tregohet i  rezervuar në komente.

Top Channel